Pas një shkëputje thuajse 3 mujore për shkak të pandemisë Covid-19, studentët e UAMD-së u janë rikthyer auditoreve. Rreth 2170 studentë që pritet të diplomohen në përfundim të këtij semestri kanë qenë të pranishëm sot në të tre godinat universitare, për të ndjekur konsultimet dhe përsëritjen e programeve mësimore me pedagogët.

Rektorja e UAMD-së,  Prof. Dr. Kseanela Sotirofski deklaroi për DurrësLajm se janë marrë të gjitha masat për të respektuar protokollin e sigurisë të hartuar nga autoritetet shëndetësore. Për të evituar grumbullimet, 954 dhe 416 studentë frekuentojnë respektivisht dy godinat e kampusit të ri në Spitallë, ndërsa 800 studentë godinën në Currila.

“Studentët janë informuar përmes kanaleve zyrtare të komunikimit si për orarin, ashtu edhe për sallat ku do të zhvillojnë përsëritjen e programeve mësimore. Hyrjet dhe daljet në godinat universitare janë të ndryshme. Studentët janë ndarë në grupe më të vogla, me qëllim që në auditorë të garantohet distanca e nevojshme. Nga ana tjetër, në përfundim të çdo ore mësimi, sallat dezinfektohen. Orari është hartuar në mënyrë të atillë, që çdo auditor, pas daljes së një grupi studentësh, të ketë kohën e mjaftueshme për t’u dezinfektuar para se të hyjë grupi tjetër i studentëve”,– tha rektorja Sotirofski.

Nga ana tjetër, rektorja e UAMD-së theksoi gjatë fjalës së saj se paralelisht me ndjekjen e mësimit në auditore do të vazhdojë edhe mësimi online për të gjithë ata studentë që për arsye të ndryshme nuk mund të frekuentojnë universitetin dhe po ashtu edhe për studentët e vitit të parë dhe të dytë Bachelor dhe viti i parë Master.

Problematika më e madhe në rinisje të vitit akademik mbetet transporti i studentëve, si për ata që jetojnë e banojnë në Durrës, ashtu edhe për ata nga qytetet e tjera.

“Ende sot transporti publik vazhdon të jetë një nga aktivitetet e mbyllura nga qeveria. Për ne mbetet problem kryesor, pasi krijon vështirësi për studentët. Jemi në pritje të daljes së protokolleve të sigurisë edhe për transportin publik, në mënyrë që këto javë konsultimesh dhe më pas sezoni i provimeve të mos ndikohen nga vështirësia e studentëve për mbërritur në UAMD”,- tha Sotirofski.

Vetë studentët thonë për DurrësLajm se janë ndjerë mirë që u janë rikthyer auditoreve, kjo dhe për vetë specifikën e këtij viti, që përkon me diplomimin e tyre.

Ata deklaruan se me protokollin e sigurisë që po zbatohet me rigorozitet si nga stafi akademik, ashtu edhe nga vetë ata, ndihen të sigurtë. Derisa të vihet në funksion transporti urban, atyre do t’u duhet të udhëtojnë drejt godinave të UAMD-së me automjete personale. Shumë prej tyre pranojnë se i kanë shoqëruar prindërit apo janë organizuar me studentët e tjerë, në mënyrë që të mos humbin mundësinë për të ndjekur nga afër konsultimet e nevojshme, në prag të nisjes së sezonit të provimeve.

Dy herë me radhë gjatë këtij viti, studentët e UAMD-së janë detyruar të ndërpresin vitin akademik, prej tërmetit dhe pandemisë Covid-19. Rektorja Sotirofski pranon se këto ndërprerje kanë krijuar problematikat e tyre, por nga ana tjetër u ka bërë të mundur që të jenë të përgatitur në të ardhmen për përballimin e krizave të ngjashme.

“Siç tregoi edhe rasti i tërmetit të nëntorit, UAMD ka reaguar shpejt ndaj situatave të krizave dhe iu është gjendur pranë studentëve. Të gjithë studentët gjatë kësaj kohe kanë qenë në kontakt të afërt me pedagogët, u kanë mbërritur të gjitha leksionet në postën e tyre elektronike dhe nga ana tjetër edhe stafi akademik është përshtatur më së miri me këtë mënyrë të re mësimdhënieje”,- tha rektorja Sotirofski.

M.B.