Sot mbushen tetë vite nga 21 janari i vitit 2011, kur Garda e Republikës hapi zjarr ndaj protestuesve të thirrur nga Partia Socialiste para Kryeministrisë, duke vrarë katër protestues të pafajshëm dhe plagosur gjashtë të tjerë.

Nga protesta mbetën të vrarë; Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite. Ajo që nuk është përcaktuar ende është arma nga u qëllua Aleks Nika, sepse plumbi që kishte bërë rikoshet rezultoi mjaft i dëmtuar.

Ndërkohë që në fillim të nëntorit të vitit të kaluar dosja u rikthye sërish në gjykatë. Garda e Republikës rikthen procesin e 21 janarit në gjykatën e Tiranës duke i kërkuar ish-kreut të saj Ndrea Prendit dhe gardistit Agum Llupo të kthejnë në arkën e gardës faturën prej 2.1 milionë euro që garda ka paguar si dëmshpërblim për viktimat e 21 janarit.

Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika, të vrarë me duar në xhepa në protestën e 21 janarit 2011 janë shpallur ‘Dëshmorë të Atdheut’. Ndërkohë që familjarët vijojnë që të kërkojnë drejtësi, apel të cilin ata e përsërisin çdo vit duke pasur shpresë se drejtësia e re do bëjë drejtësi për katër të vrarët.