Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet tek Operatorët e Biznesit që tregtojnë produkte ushqimore (pije alkoolike dhe joalkoolike), me qëllim parandalimin e praktikave abuzive, si dhe parandalimin e hedhjes në treg të produkteve të pasigurta për shëndetin e konsumatorëve.

Nga kontrolli i ushtruar nga Drejtoria Rajonale e AKU Dibër në subjektin “Sanije Neziri” me aktivitet bar-restorant në Mat, u konstatuan 574 shishe vere 700 ml dhe 577 litra raki të cilat kishin mangësi në etiketim, si dhe subjekti nuk dispononte sistemin e gjurmueshmërisë për produktet që tregtonte.

Nisur nga gjetjet e kontrollit të kryer, inspektorët e AKU-së morën mostra për produktet e rakisë dhe verës me qëllim kryerje e analizave laboratorike në lidhje me përshtatshmërinë e tyre për konsum human.

Për shkeljet e konstatuara AKU mori masat e mëposhtme:

1. Gjobë me vlerë 100,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,
2. Gjobë me vlerë 50,000 lekë për mangësi në etiketimin e produktit,
3. Bllokim i produktit në sasinë prej 577 litra raki dhe 574 shishe vere 700 ml, deri në daljen e përgjigjeve të analizave zyrtare,
4. Bllokim i magazinës ku ishin vendosur këto produkte.