BERAT, 01 mars 2013 – Ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Berat. Sipas zyrës së shtypit të ambasadës italiane, ambasadori Gaiani nga Berati ka apeluar për miratimin e tre ligjeve të integrimit, ndërsa ka theksuar se edhe zgjedhjet duhet të mbahen në një frymë bashkëpunimi. 

“Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara përsa i përket procesit të integrimit evropian, që është një proces i ndërlikuar dhe kërkon shumë angazhim, por gjithsesi mbetet ende shumë për tu bërë në këtë drejtim dhe një pjesë e këtyre angazhimeve është edhe miratimi i tre ligjeve. Italia mbështet dhe shpreson që edhe këto hapa të fundit të kryhen sa më shpejtë të jetë e mundur. Ndërkohë përsa i përket zgjedhjeve kërkojmë që ata të zhvillohen në një frymë të qetë bashkëpunimi dhe gjithçka të shkojë mirë, pasi koha nuk premton. Menjëherë pas zgjedhjeve parlamenti i ri do fillojë punë që të aprovojë edhe miratimin e ligjeve, si dhe të kryhen hapat e nevojshëm për integrimin”, tha ai.

Gjatë vizitës së tij në Berat Gaiani u takua me autoritetet më të larta të qytetit, Prefektin Bujar Hoxhaj, Kryetarin e Këshillit të Qarkut, Petrit Sinaj dhe Kryetarin e Bashkisë, Fadil Nasufi.