Një atentat i mirëorganizuar la të vdekur në vend 39-vjeçarin Edison Harizaj, ndërsa të plagosur Genci Cacën, mbrëmjen e së martës në Durrës.

Mësohet se dy shtetasit nga Vlora po udhëtonin nga Tirana në drejtim të Kavajës, kur automjeti tip “Audi” me të cilin ata po lëviznin është goditur me breshëri plumbash.

Burime policore bëjnë të ditur se 39-vjeçari Harizaj dhe 33-vjeçari Caca janë goditur me breshëri dhe kanë marrë plagë të shumta. 39-vjeçari Harizaj humbi jetën në vendngjarje, ndërsa 33-vjeçari është në gjendje të rëndë në spital.

Harizaj, i njohur si miku i Emiljano Shullazit dyshohet se ka qenë dhe shënjestra e atentatit, për shkak të konflikteve të mundshme të 39-vjeçarit apo hasmëritë me persona të tjera.

Pak me vonë pas krimit, në Shën Vlash policia gjeti një makinë të shkrumbuar e cila dyshohet se ka qenë e autorëve të këtij atentati.

Informacioni i policisë:

Më datë 06.11.2018, rreth orës 22:50 ,në lagjen nr. 13, Durrës brenda një mjeti tip “Audi” është gjetur pa shenja jete shtetasi E.H. 39 vjeç, banues në Vlorë dhe i plagosur shtetasi G.C. 33 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve si dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.