Një atentat me armë zjarri i mori jetën mbrëmjen e kaluar në Tiranë pranë ish-Parkut të Autobusëve, 32-vjeçarit Emiljano Boçi.

Ai u qëllua për vdekje në automjetin e tij menjëherë pasi doli nga një restorant në kryeqytet i shoqëruar nga e dashura e tij dhe miku i tij Melvin Disha, 27-vjeçar, i cili mbeti i plagosur. Autori ka qëlluar nga pjesa e pasme e makinës "Range Rover" në drejtim të vendit të shoferit, çka tregon se objektivi ka qenë pikërisht viktima.

E dashura e 32-vjeçarit i ka shpëtuar mrekullisht plumbave të këtij atentati, ndërsa mësohet se ka qenë ajo e cila ka njoftuar forcat e policisë dhe ka qenë po ajo që e ka dërguar me urgjencë në spital Emiljano Boçin i cili kishte mbetur i plagosur rëndë dhe shokun e tij Disha.

Banorët përreth nuk kanë dëgjuar të shtëna, çka shton dyshimet se atentatori ka përdorur armë me silenciator. Burime nga policia bëjnë të ditur se pistat ku po heton policia është ajo për pazaret e drogës, pasi mësohet se Boçi lëvizte vazhdimisht në Gjermani dhe Holandë dy vitet e fundit ku dyshohet se merrej me trafik kokaine, ndërsa një tjetër pistë është edhe ajo e hakmarrjes.

Emiljano Boçi ka qenë një person i njohur për policinë e kryeqytetit. Në 2010-n në Selitë, Boçi dhe shoku i tij Roland Hoxha u përplasën me armë zjarri me Astrit Malajn dhe Artur Treskën, një sherr banal i nisur nga fjalët "pse më sheh". Nga përplasja Treska dhe Boçi mbetën të plagosur, ndërsa ky i fundit u dënua për tentativë vrasje dhe para dy vitesh doli nga burgu.