Prokuroria e Tiranë ka kërkuar paraditen e sotme masën e sigurisë “Arrest me burg” për Tire Alldervishin, sanitaren që prezantohej si infermiere te “Shefqet Ndroqi” dhe i ka marrë 8 milionë lekë të vjetra vajzës së një pacienteje me Covid-19.

Gjykata e Tiranë ka pranuar pretencën e Prokurorisë dhe ka lënë 58-vjeçaren në masën e sigurisë “Arrest me burg”. Gjyqtarja i ka kërkuar Prokurorisë të hetojë nëse bëhet fjalë për një skemë që është përdorur edhe ndaj pacientëve të tjerë, apo rasti i Tires është i izoluar.

Seanca ndaj saj fillimisht është shtyrë pasi avokati nuk ka qenë i pranishëm, ndërsa më vonë kur seanca ka rinisur, janë prezantuar dy avokatet mbrojtëse të sanitares “8 milionëshe”. Gazetarja Klodiana Lala raporton se Alldervishi mbrohet nga dy avokatet Odeta Taçi dhe Melina Gjeta.

Ato nuk kanë pranuar pretencën e Prokurorisë së Tiranës për masën e sigurisë “Arrest me burg”, por kanë kërkuar që klientja e tyre të lihet në një masë më të lehtë sigurise, për një afat një mujor. Sipas avokateve, Tire Alldervishi nuk është mirë psikologjikisht, pas ngjarjes.

“Ngjarja është e rëndë për opinionin publik. Do kërkojmë hetim të plotë të rastit. E akuzuara, jo në gjendje të mirë psikologjike. Kërkojmë masë më të lehtë me afat 1 mujor. E akuzuara ka qenë e prekur nga Covid-19. Do sjellim prova që tregojnë një tjetër tablo. Përgjimi është i paligjshëm”, kanë thënë avokatet e 58-vjeçares.

Prokurori i çështjes Bledar Valikaj, deklaroi në seancën paraprake për caktimin e masës së sigurisë se sanitarja i mori 2 mijë lekë vajzës së pacientes vetëm për t’i futur celularin brenda në spital, dhe se paratë i mori me pretendimin për t’ua çuar infermiereve, ndërkohë që pacientja i thoshte të bijës se nuk i jepej shërbim. Prokurori Valikaj, është shprehur se po hetohet nëse kemi të bëjmë me një skemë zhvatje ndaj të sëmurëve me COVID-19.

“Sanitarja i jepte kallëzueses edhe një listë me ilaçe që duhet të blinte për kurimin e së ëmës. Sanitarja Alldervishi në momente të caktuara ka kërkuar edhe 7 mijë lek, madje i cilësonte pak. Gjatë turnit të natës merrte më shumë para”, tha akuza.