13/02/2020 - 13:29
Pasi nuk gjejnë asnjë zgjidhje nga institucionet vendore, banorët e Durrësit të cilët vuajnë prej tre muajsh pasojat e tërmetit të 26 nëntorit, të vetmen zgjidhje shikojnë duke bërë publik problemin në media.
Këtë radhë ishin 40 familje të një pallati 12-katësh në lagjen numër 5 në Durrës të cilët kërkojnë ekspertizë të thelluar për objektin ku ata banojnë pasi sipas tyre pallati është mënjanuar rreth 53 centimetra.
Jo vetëm që pallati është ndërtuar pa asnjë pilotë por mbi të janë hedhur edhe kate shtesë duke e bërë të rrezikshëm banimin në këtë objekt thonë banorët, të cilët janë ankuar në disa institucione por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Madje ata kanë bërë denoncim edhe në prokurori e polici por denoncimi nuk është marrë nga oficerja e policisë gjyqësore, për shkak se pallati është blerë nga firma “Kastrati” sipas tyre.
Banorët e pallatit 12-katësh në qytetin e Durrësit protestojnë kundër vendimit për riparimin e tij, pasi sipas tyre ai rrezikon shembjen.
Banorët kërkojnë që të informohen nga ana e bashkisë për ecurinë e procedurave dhe së çfarë do të ndodhë me pallatin. Sipas tyre pallati ka qenë i pajisur me leje ndërtimi për 7 kate, por më vonë ndërtuesit shtuan edhe 5 kate të tjera.
Lagjja pesë në Durrës ka pësuar dëmtime të mëdha nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar. Dhjetëra pallate në një perimetër fare të vogël kanë lëvizur dhe ceduar disa centimetra deri në një meter nga pozicioni fillestar.
K.H.
/portali DurresLajm/