Agim Çako, administratori i kompanisë “Mateo Konstruksion” që ka lidhur kontratë me Endrit Doklen nuk është një emër i panjohur për Policinë e Shtetit. Bisnesmeni 60-vjeçar, është gjithashtu administrator i shoqërisë “A&A OIL 10” dhe në vitin 2016 është shpallur në kërkim nga policia për fshehje të të ardhurave.

Sipas njoftimit zyrtar, të bërë në atë kohë nga Policia e Fierit, Agim Çako akuzohej se i kishte fshehur shtetit shqiptar të ardhurat për 5247,89 ton naftë bruto, konkretisht 179.594.750 Lekë.

“Shpallja në kërkim e biznesmenit u bë pasi nga hetimi, rezultoi se në aktivitetin e shoqërisë “A&A OIL 10” në fushën e hidrokarbureve, ka shmangur detyrimet tatimore e doganore për periudhën 2010¬-2013, për një sasi prej 5247,89 ton naftë bruto me një vlerë prej 179.594.750 Lekë. Biznesmeni akuzohet për “fshehje e të ardhurave”, “kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “falsifikim i vulave, i stampave apo formularëve. Materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar prokurorisë, ndërkohë që policia vijon kërkimin,”– bënte të ditur policia.

Ndërkohë, kompania që ka në zotërim biznesmeni Agim Çako, “Mate Konstruksion” ka lidhur kontratë me ish-kreun e bandës së Durrësit, Endrit Doklen. I dënuar me burgim të përjetshëm, Dokle u lirua me vendim të Gjykatës së Krujës dhe nëpërmjet punësimit kërkon riintegrimin në shoqëri. Sipas kontratës së firmosur në muajin nëntor të vitit 2019, Dokle do të paguhet 350 mijë lekë të vjetra, plus sigurimet shëndetësore.