Data 9 mars rezervon një mbrëmje spektakël për qytetarët durrsakë. Shoqata “Titans Fight” organizon në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në qytetin e Durrësit një event sportiv, të veçantë në llojin e tij.

10 ndeshje boksi dhe kickboksi me boksierë nga 7 vende pjesëmarrëse: Shqipëri, Kosovë, Itali, Greqi, Mali i Zi, Hollandë, Bosnje Hercegovinë.

Boksierët Ardit Murja, Arjon Kajoshi, Emiljano Xhediku, Bekim Vjerdha etj premtojnë spektakël dhe emocion për sportdashësit durrsakë dhe jo vetëm.

Boksierët më të spikatur në ringjet shqiptare do të ndeshen me rivalët e tyre nga vendet e rajonit.

Një surprizë për të apasionuarit e sportit më burrëror do të jetë ngjitja në ring e boksierit më të mirë në rajonit e Ballkanit, Armend Xhoxhajt i cili do të ndeshet me rivalin Mirnes Denadic.

Ndërkohë, për të gjithë adhuruesit e muzikës do të ngjiten të performojnë në skenë këngëtarët e njohur Noizy, Stine dhe Kastriot Tusha, ndërsa për ta bërë publikun të qeshë do të mendojnë dy humoristët Bes Kallaku dhe Erjon Isai.

Organizatorët e këtij eventi të veçantë për qytetin bregdetar kanë menduar që të gjitha të ardhurat të shkojnë për bamirësi, në ndihmë të Shtëpisë së foshnjes në Durrës.