“Mori udhë mandati i qytetarëve. Uroj që mos të ketë më vendime të tilla, jo vetëm për Valbonën, por për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë.

Kështu është shprehur kryebashkiakja e re e qytetit të Durrësit, Valbona Sako, menjëherë sapo ka dalë nga seanca gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, teksa kjo e fundit pushoi çështjen e Shkallës së Parë dhe njohu mandatin e kryebashkiakes.

Sako shoqërohej nga avokati i saj, i cili para gazetarëve sqaroi dhe vendimin e gjykatës së dhënë sot dhe po ashtu vendimin e dhënë më 17 korrik nga gjyqtarja e Rrethit Gjyqësor Durrës, Mimoza Margjeka, që i konsideroi zgjedhjet nul për shkak të regjistrimit me vonesë jashtë afatit kohor të BD-së.

Sipas avokatit, “Ai vendim nuk ishte i formës së prerë, pa jetë ligjore. Sot ai mori fund. Ndërsa vendimi që ka pasur fuqi ligjore, ka qenë ai i formës së prerë”.