Javën e kaluar një grup dasmorësh u paraqitën në urgjencën e spitalit të Durrësit me shenja helmimi, pasi kishin qenë krushq në një dasmë të organizuar në një lokal në Shijak.

Policia raportoi se ishin 6 dasmorë që vijonin të ishin të shtruar në spital për shkak të gjendjes shëndetësore.

Menjëherë AKU reagoi duke bllokuar aktivitetin e lokalit të dasmave ku ndodhi helmimi i krushqve.

Disa ditë pas kësaj ngjarjeje, drejtoresha e Shërbimit të Higjenës dhe Epidemiologjisë në Durrës, Zhaneta Saliu shprehet se lokali në fjalë vazhdon të jetë me aktivitet të pezulluar, pas vendimit të marrë nga grupi i inspektimit.

Gjatë kontrollit u konstatua se 3 nga punonjësit nuk ishin pajisur me libreza shëndetësore dhe për këtë u mor masë konform ligjit.

Sipas Saliut, analizat e personave të shtruar në repartin infektiv të spitalit të Durrësit kanë dalë negative, por ende në drejtorinë e Higjenës nuk ka mbërritur shkresa zyrtare.

Lokali i dasmave në Shijak pritet të rinisë aktivitetin menjëherë pasi përgjigja zyrtare e spitalit të Durrësit do të mbërrijë në drejtorinë e Higjenës.