Nisi sot nga Durrësi stërvitja “Defender Europe 21“, me pjesëmarrjen e rreth 28 mijë trupave shumëkombëshe, nga 27 shtete, që realizojnë operacione pothuajse të njëkohshme në më shumë se 30 zona stërvitjeje, në 12 vende.

“Defender 21” u çel këtë të martë me eventin e parë, Dita e Vizitorëve të Shquar (DV- Day), me praninë e autoriteteve më të larta civile e ushtarake në vendin tonë, ato amerikane dhe NATO.

Stërvitja do të ushtrojë aftësinë e Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë për të shërbyer si Komandë e Bashkuar e Komponentit të Forcës Tokësore, dhe si partner i sigurisë në rajonet me rëndësi strategjike të Ballkanit dhe të Detit të Zi, ndërsa mbështet aktivitetet në Evropën Veriore dhe Afrikë.

Kritike për këtë ndërrmarrje është strategjia e rreptë për parandalimin e COVID-it dhe ajo e mjekimit, e zbatuar nga SHBA-ja dhe vendet pjesëmarrëse. Stërvitje si “Europe Defender 21“, dëshmojnë që përkushtimi i SHBA-së ndaj NATO-s është maksimal dhe se aleatët dhe partnerët e NATO-s qëndrojnë të fortë së bashku.

Shqipëria është një nga 16 vendet që mirëpret zhvillimin e kësaj stërvitjeje ushtarake, e cila ka për qëllim ndërveprimin e aleatëve dhe reagimin në raste krizash. Stërvitja pritet të zgjasë deri në 9 qershor.