Në videon e mëposhtme do të shihni dëmet që ka pësuar një pallat disa katësh tek Shkëmbi i Kavajës, pranë hotel “Leonardo”.

Qytetarja që ka dërguar videon pranë redaksisë së DurrësLajm, i ka denoncuar dëmtimet edhe gjatë tërmetit të 21 shtatorit. Në atë kohë, nga lëkundja 5.8 ballë, pallati pësoi dëmtime të shumta.

“Megjithëse në atë kohë shkuam në shumë zyra, askush nuk na dha përgjigje. Askush nuk na tha nëse pallati mund t’i rezistonte edhe një goditjeje tjetër. Ngaqë nuk kemi ku shkojmë, vazhduam të jetojmë aty. Shihni tani sa dëme ka pësuar pas lëkundjes 6.3 ballë. Të gjitha çarjet janë thelluar. Kemi frikë të rrimë aty, këto net nuk kemi fjetur në pallat. Prapë askush nuk ka ardhur ta shohë, të na thotë a rrezikojmë në të ardhmen a jo. Nuk dimë ca do bëhet me ne. plus këto ditë në lagje janë parë edhe persona të dyshimtë. Kemi frikë se na vjedhin shtëpitë”,- rrëfen qytetarja, e cila është shumë e shqetësuar për fatin e pallatit ku banon.

Sipas saj, askush nga banorët nuk jeton aty këto ditë, sepse kanë frikë se në një lëkundje tjetër mund t’i zërë brenda.

Pranë redaksisë së DurrësLajm janë të shumtë banorët që thonë se askush nuk ka shkuar për t’u kontrolluar shtëpitë dhe apartamentet dhe ata janë në mëdyshje se çfarë duhet të bëjnë, të kthehen a jo në shtëpi.

Shumë prej tyre i gdhijnë ditët në makina, tek të afërmit apo në ndonjë qytet tjetër.