Këshilltarët socialistë të Këshillit Bashkiak Durrës votuan në unison në mbledhje për t’i kaluar 7 pikat e para të rendit të ditës për diskutim në një tjetër mbledhje. Kreu i grupit të këshilltarëve, Arben Isaku, shpjegoi se kjo gjë po bëhej për shkak se komisionet në të cilat do të diskutohen propozimet e administratës së bashkisë, nuk ishin miratuar ende.

Pas votimit të këshilltarëve, kryebashkiakja Valbona Sako ftoi grupin që të kaloheshin gjatë mbledhjes së të premtes pikat 3,4, 5, 6 dhe 7, që sipas saj “kanë karakter social dhe nuk do të paraqisnin pengesë edhe pas shqyrtimit në komisionet përkatëse”.

“Ju s’mund ta dini, por unë kam një fluks nga personat që futen në listat e përfituesve të banesave sociale, ata kanë sjellë dokumentacionin pranë bashkisë dhe sot, para se të hyja në mbledhje, ishin 3 familjare të divorcuara, dy prej të cilave të dhunuara, që presin vendimin e Këshillit Bashkiak. Disa pika të rendit të ditës nuk i shoh të rastit për t’u shqyrtuar në komisionet përkatëse”,- tha Sako në mbledhje.

Kryebashkiakja Sako ftoi gjithashtu këshilltarët që të miratonin fondin prej rreth 117 milion lekë të reja, të kursyera nga prokurimet e vitit 2019, të cilat sipas saj do të shkojnë për riparimin e shkollave, kopshteve dhe çerdheve të dëmtuara nga tërmeti. Kryebashkiakja nënvizoi se në disa prej tyre është thuajse e pamundur të zhvillohet procesi mësimor. Ajo ftoi dhe njëherë këshilltarët dhe kreun e KB Durrës të miratonin këto pika.

Pas fjalës së kryebashkiakes Sako, kreu i Këshillit Bashkiak, Ani Dyrmishi, deklaroi se këto pika nuk mund të shqyrtoheshin, pasi që në fillim të mbledhjes këshilltarët miratuan të gjithë së bashku që ato të të shqyrtoheshin më parë në komisione dhe më pas do të kalonin për miratim në mbledhjet e rradhës së KB Durrës.