Një tjetër ndërtesë është sekuestruar në bregdetin e Durrësit, pasi kishte shtuar kate pa leje.

Mësohet se me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit, Gjykata e Durrësit ka vendosur sekuestro preventive për një hotel më zonën e plazhit.

Pas objektit 9-katësh dhe atij në ndërtim e sipër pranë Urës së Dajlanit, Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur sekuestron mbi një ndërtim të paligjshëm, që ndodhet në lagjen Nr.13 Plazh, rruga “Venezia”, në anën e rërës.

Sipas të dhënave, në një hotel ekzistues ishin ngritur pa leje 3 kate të tjera. Bëhet fjalë për hotelin “Perandor”. “Më datë 23.02.2018, u regjistrua procedimi penal nr.325 për veprën penale të “Ndërtimit të paligjshëm”, kryer për qëllim fitimi, parashikuar nga neni 199/a3 dhe 248 të Kodit Penal.

Ky procedim penal filloi për shkak se nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, është bërë referimi i materialit kallëzues lidhur me një objekt në ndërtim, në lagjen Nr.13 Plazh, rruga “Venezia”, në anën e rërës”, bënë të ditur burime nga Gjykata e Durrësit.

Sipas Prokurorisë, është shkuar në vendngjarje dhe është identifikuar objekti që rezulton në pronësi të shtetasit me inicialet D.M., i cili ka ndërtuar tri kate shtesë mbi objektin ekzistues hotel “Perandori”, që është 6 kate mbi tokë +1 kat nëntokë.

Në këto kushte, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka kërkuar vendosjen e masës së sekuestros preventive për tri katet shtesë; përkatësisht katet 7, 8 dhe 9 mbi objektin ekzistues hotel prej 6 kate mbi tokë + 1 kat nën tokë.

Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur sekuestron preventive mbi ndërtimin e paligjshëm të referuar më sipër. Një javë më parë, Gjykata vendosi sekuestro preventive për objektin 9-katësh në zonën e Plazhit. Ndërsa më herët, u vendos sekuestro edhe për objektin në ndërtim e sipër në zonën e brezit të rërës në vendin e njohur si Ura e Dajlanit.

Ndërkohë, Prokuroria vijon hetimet për zbulimin e të tjera ndërtimeve pa leje, pjesa dërmuese e të cilave tashmë ndodhen edhe të legalizuara dhe të hipotekuara në kundërshtim me ligjin.

Prej disa kohësh, organi i akuzës në Durrës ka vënë në shënjestër rreth 30 punonjës të ALUIZNI-t dhe Hipotekës, të cilët dyshohet se nëpërmjet falsifikimit të dokumentacioneve kanë legalizuar dhe hipotekuar objekte të ndryshme. Deri më tani janë evidentuar tri raste, ku për të tri objektet Gjykata ka vendosur masën e sekuestros.

Marrë nga "PANORAMA"