Gjatë seancës së sotme në gjykatën e Tiranës, ku u dha masa e sigurisë për të arrestuarit pjesë e skemës së mashtrimit me kredi fiktive në filialin e Fondacionit Besa në Tiranë, drejtoresha e filialit, Albana Imami pranoi dhënien e këtyre kredive, por tha se nuk ka qenë e vetëdijshme dhe ka qenë në delir.

Diskutime pati mes saj dhe oficerëve të kredisë, të cilët në seancë pranuan firmosjen e një numri kredish, por që këtë e kishin bërë me kërkesë të drejtoreshës Imami.

Ndërkohë, një prej të arrestuarave, Orkida Driza, që sipas prokurorisë akuzohet si seksere, tha se është përdorur dhe për kredi aty ka çuar edhe fëmijët e saj.

“Jam e gatshme të bashkëpunoj, më kanë përdorur, unë kam çuar edhe fëmijët e mi aty”, tha ajo.