Tetë muaj pas tërmetit dhe në një kohë kur ka filluar shpërndarja e granteve të rikonstruksionit të banesave të dëmtuara, banorë të ndryshëm në Durrës janë ende në udhëkryq për gjendjen e pallatit të tyre, pasi një pjesë e tyre nuk ndihen ende të sigurt të kthehen të jetojnë edhe pas riparimeve që do të kryejnë.

Përpara bashkisë së Durrësit, sot u mblodhën një grup banorësh të pallatit nr.1918, të cilët kërkojnë akt-ekspertizë të thelluar. Pallati i tyre te lagjja nr. 12, rruga “Abaz Çelkupa”, është klasifikuar me dëme të nivelit DS3, por nga akt-konstatimi i parë i bërë më 9.12.2019 me përshkrim “Gjendje katastrofike e muraturës plotësisht e shkatërruar”, kërkohej ekspertizë më e specializuar për strukturën e pallatit dhe gjeologjinë e tokës.

Në fund të akt-eskpertizës thuhet se ka nevojë për një rivlerësim tjetër, më të thelluar. Nga tre grupe që kanë ardhur kanë bërë tre vlerësime të ndryshme. Bashkia ka thënë nga ana e saj, që vendimi është marrë, pallati ka dalë me nivel DS3, do bëhen riparime. Situata nuk është aq e lehtë”, thotë një banor.

Ata kanë menduar që nëse kërkesa e tyre për një rivlerësim tjetër nuk do të merret parasysh, do të protestojnë çdo ditë, duke shkuar madje deri në Kryeministri.

“I kërkojmë bashkisë të marrë në konsideratë shqetësimin tonë. Jemi 60 familje të këtij pallati që është shpallur i pabanueshëm. Është kërkuar analizë e thelluar dhe studim gjeologjik, por kjo nuk është bërë. Pallati është në rrezik shembje. Shteti na nxiton që të aplikojmë për grantin, ndërkohë që atje nuk banohet. Këto shpërblime janë qesharake, nuk na rikthejnë dot banesat.

Mua më është prishur dhe banesa edhe biznesi. Tani nuk ma njohin si biznes, por thonë që është banesë, kur unë kam 16 vjet që i paguaj kësaj bashkie taksat.

Protesta jonë nisi sot këtu dhe nuk do të mbarojë, por do të shkojë deri në Kryeministri dhe në të gjitha instancat shtetërore deri sa të dëgjohet zëri ynë”, shprehet një tjetër banor.

Ata këmbëngulin në një akt-eskpertizë të thelluar, në të kundërt protesta e tyre nuk do të ndalet:

“U bënë 8 muaj që ende nuk e dimë në çfarë gjendje është pallati. Unë jam në katin e dytë, nuk kam çfarë të bëj me 5 milionë lekë. Edhe sikur ta ndërtojmë shtëpinë, unë nuk jam e sigurt nëse duhet të hyj të jetoj më aty. S’do lëmë gjë pa lëvizur”, thotë një banore.

S.L.