Hipoteka dhe tanimë Agjencia Shtetërore e Kadastrës në Durrës është institucioni që "ka hëngër" më shumë koka drejtorësh në vetëm 10 muaj dhe po ashtu institucioni që ka ndërruar më shumë drejtues në të njëjtën periudhë kohore. 

Gjithçka do të niste më 23 janar të këtij viti, kur u shkarkua ish-drejtori Ardian Iljazaj, pasi në një video të xhiruar nga një qytetar dëgjohej duke i thënë "Shko të ta zgjidhë hallin Edi Rama". 

Pas shkarkimit të Iljazajt do të niste "tërmeti" në Hipotekën e Durrësit që u pasua me largime nga puna dhe masa disiplinore ndaj një numri të konsiderueshëm punonjësish. 

Në vend të Iljazajt do të komandohej Florian Alimadhi, që e mbajti këtë post deri në muajin maj, kur u ngrit ASHK Durrës dhe në postin e drejtorit u emërua Liridon Pula.

Pula e mbajti këtë post deri në 1 tetor, ditë kur dhe u arrestua pas hetimit që kishte nisur prokurori Arjan Ndoja. Arrestimi i Pulës u shoqërua nga reagime në nivelet më të larta drejtuese të shtetit, pasi kryeministri Rama nga foltorja e Kuvendit drejtoi gishtin nga prokurori Ndoja, për të cilin tha se vepronte për llogari të grupeve kriminale. Zv. kryeministri Braçe do të ndiqte nga salla e gjyqit seancën për masën e sigurisë ndaj Pulës. Rreth 1 muaj nga arrestimi, Apeli do ta linte Pulën në masën e sigurisë "Detyrim paraqitje".

Në vend të Pulës, në krye të Kadastrës Durrës u vu Arjan Cengu. Kur drejtori nuk ka mbushur ende 2 muaj në këtë post, del lajmi që ditën e mërkurë, 20 nëntor, do të prezantohet drejtori i ri, Artur Çobani. 4 drejtorë të rinj nga 23 janari, pra 4 drejtorë në vetëm 10 muaj, në një nga institucionet më të rëndësishme në Durrës, e që muajt e fundit ka qenë në vëmendjen e të gjithë opinionit publik për shkak të arrestimeve apo krimeve që lidhen drejtpërsëdrejti me abuzimet me pronat në qytetin bregdetar.

Pula u duk sikur tërhoqi "këmbën zvarrë", pasi pas tij përfunduan brenda një dite 3 ish-drejtorë të Hipotekës pas hekurave; Ardian Iljazaj, Adrian Kona dhe Edlira Nova. Nova u la në detyrim paraqitje nga Gjykata e Shkallës së parë, ndërsa Iljazaj u lirua para pak ditësh nga Apeli. 

Nesër prezantohet drejtori i ri i ASHK Durrës. A mund të thotë dikush me siguri të plotë se do të jetë drejtori i fundit për këtë vit?!

M.B.