Nga Thanas Mustaqi

Koncesionari i Terminalit të Kontejnerëve në portin e Durrësit ka shkelur ligjin dhe ka anashkaluar dy ministri dhe Këshillin Drejtues të Autoritetit Portual Durrës (APD), lidhur me vendosjen e tarifës për një shërbim të ri. Por kjo arrogancë është ndaluar dhe po hetohet, pas ankesës së paraqitur pranë Autoritetit të Konkurrencës nga ndërmarrja Brunes SHPK lidhur me faturimin e padrejtë të shërbimit të zbrazjes dhe mbushjes së kontejnerëve.
Komisioni i Konkurrencës vendosi, qysh më 3 tetor 2019, marrjen e masës së përkohshme ndaj koncesionarit të Terminalit të Kontejnerëve në portin e Durrësit, DCT (Durres Container Terminal) SHA, në tregun e shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së kontejnerëve në Terminalin e Kontejnerëve Durrës. Kështu, DCT-ja SHA duhet të ndalojë aplikimin e tarifave të padrejta për ofrimin e shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së kontejnerëve në Terminalin e Kontejnerëve Durrës.
Masa e përkohshme merret për një periudhë kohore deri në përfundim të procedurës hetimore.
Në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme DCT-ja SHA ndëshkohet me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës.
Në rast të moszbatimit të masave të përkohshme brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim, Komisioni i Konkurrencës vendos gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore, deri sa DCT-ja SHA të veprojë në përputhje me vendimin për masat e përkohshme.

Sfondi
Duke marrë parasysh faktin që Koncesionari DCT SHA është posedues, operues, menaxhues dhe administrues i vetëm i infrastrukturës dhe objekteve të Terminalit të Kontejnerëve Durrës, duke zotëruar 100% të pjesëve të tregut përkatës; si dhe barrierat për hyrjen në treg; konkurrencën potenciale; fuqinë kundërvepruese të blerësve, ndërmarrja DCT SHA vlerësohet me pozitë dominuese në tregun e ofrimit të shërbimeve të ngarkim-shkarkimit të anijeve kontejnerike dhe aktiviteteve të lidhura me to në Terminalin e Kontejnerëve Durrës, ku përfshihet edhe shërbimi i mbushjes dhe zbrazjes së kontejnerëve.

Ndërmarrja DCT SHA duke filluar nga muaji maj 2018 ka ofruar shërbimet e mbushjes dhe zbrazjes së kontejnerëve kundrejt një tarife të vetëpërcaktuar, tarifë e cila nuk është e miratuar dhe nuk është në librin e tarifave të publikuara në faqen zyrtare të APD-së.
Koncesionari DCT SHA ka marrë miratimin e APD-së në 11 maj 2018 për fillimin e ofrimit të shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së kontejnerëve. Sipas APD-së, faturimi i këtij shërbimi do të kryhet me vlerën e përcaktuar nga tarifat, të cilat do të vendosen nga mbledhja e Këshillit Drejtues. Konkretisht ofrimi i këtij shërbimi nga DCT SHA ka filluar nga data 14 maj 2018, duke aplikuar tarifat e propozuara nga vetë kjo shoqëri.

DCT SHA ka vijuar punën për përpunimin e kontejnerëve duke ofruar edhe shërbimin e mbushjes dhe zbrazjes, kundrejt një tarife të vetëpërcaktuar dhe të pamiratuar nga instancat përkatëse, pavarësisht kërkesave të APD-së për ndërprerjen e ofrimit të këtij shërbimi, duke operuar në kundërshtim me termat e Kontratës Koncesionare si dhe me Librin e Tarifave Portuale.
Në vijim të shqyrtimit të propozimit për tarifat e shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së kontejnerëve, Këshilli Drejtues i APD-së, me anë të vendimit nr. 21, datë 15.11.2018 “Për disa ndryshime në Vendimin nr. 5, datë 02.03.2015 “Mbi përcaktimin dhe miratimin e tarifave të shërbimeve portuale në Autoritetin Portual Durrës për vitin 2015”, i ndryshuar, ka miratuar tarifat për mbushje/zbrazje kontejneri me mallëra gjenerale.

Sipas këtij vendimi, tarifat e miratuara i përcillen në formë propozimi për bashkënënshkrim Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Këto tarifa të miratuara hyjnë në fuqi sipas përcaktimit në aktin e miratimit nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministri i Financave dhe Ekonomisë. Pavarësisht këtij miratimi paraprak të tarifës nga APD-ja që nga muaji nëntor 2018, DCT SHA nuk e ka ndryshuar sjelljen e saj duke vazhduar ofrimin e shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së Kontejnerëve me të njëjtën tarifë të vetëpërcaktuar, e cila është me e lartë se tarifa e miratuar për këtë shërbim nga APD.

Në bazë të kontratës Koncesionare DCT SHA ka ekskluzivitetin e shërbimeve të përpunimit të kontejnerëve në Gjirin e Durrësit. Ushtrimi i kësaj të drejte përfshin edhe të drejtën për të ofruar shërbimin e mbushjes dhe zbrazjes së kontejnerëve si një shërbim i lidhur me shërbimet kryesore të ngarkim shkarkimit të kontejnerëve, shërbim i cili është parashikuar si zë i veçantë në Udhëzimin e përbashkët të MIE dhe MFE nr. 1568/3, datë 14.07.2015 “Për përcaktimin e tarifave të shërbimeve portuale në Autoritetin Portual Durrës për vitin 2015”, të ndryshuar. Sipas këtij udhëzimi shërbimi i mbushjes dhe zbrazjes së kontejnerëve, si shërbimet e tjera të renditura, faturohet dhe paguhet më vete. Referuar kontratës koncesionare dhe këtij udhëzimi, shërbimi i mbushjes dhe zbrazjes së kontejnerëve është një shërbim ofrimi i të cilit i është dhënë ekskluzivisht koncesionarit. Por nga ana tjetër për këtë shërbim nuk rezulton asnjë tarifë e miratuar në këtë udhëzim.

Pavarësisht sa më sipër, në respektim të kontratës koncesionare, DCT SHA merr përsipër që të mos aplikojë, zbatojë, vjelë, imponojë ose kërkojë, në çdo lloj forme, pagesa, tarifa, taksa apo pagesa të tjera të ndryshme, të cilat përcaktohen në mënyrë ekskluzive nga Autoriteti Portual. Në rastin konkret DCT SHA ka aplikuar një tarifë shtesë në mënyrë të padrejtë, e cila nuk është e miratuar dhe nuk është prezent në librin e tarifave të publikuara në faqen zyrtare të APD-së.

Kjo sjellje e ndërmarrjes DCT mund të përbëjë abuzim me pozitën e saj dominuese në treg kundrejt përdoruesve të terminalit, duke u imponuar atyre çmime të padrejta tregtimi, duke i detyruar ata të paguajnë një çmim më të shtrenjtë për shërbimin e përfituar nga kjo ndërmarrje.

Si përfundim, referuar sjelljes se ndërmarrjes DCT SHA në tregun e shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së kontejnerëve në Terminalin e Kontejnerëve Durrës, vlerësojmë se jemi përpara një rasti urgjence për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën në këtë treg, pasi ka të ngjarë të ketë shkelje të ligjit.

Info
Terminali i Kontejnerëve menaxhohet prej shkurtit të vitit 2013 nga kompania DCT (Durrës Container Terminal).
Terminali punon në sistem 24-orësh.

Karakteristikat e terminalit

Sipërfaqe terminali 60.062 m2
Gjatësi kalate 265 ml
Thellësia pranë kalatës 8.6m-10.00 m

Pajisjet e terminalit

Stivues kontejnerësh 5 njësi
Shasi terminali 5 njësi
2 autovinça me kapacitet 63 – 100 tonë
Pirun ngritës 1 njësi

Kapaciteti i terminalit

Kapaciteti përpunues 180.000 TEU
Kapaciteti depozitues 3000 TEU
Priza për kontejnerë frigoriferike 200 njësi

Linjat kryesore:

ZIM – Haifa Izrael
MSC – GioaTauro Itali
CMA CGM – Malta
MEDAZOV – Castellon Spanje
MAERSK – Malta Marsaxlokk
COSCO