Banorët e zonës së ish-Kënetës në Durrës, kanë bllokuar punimet që po kryen firma e kontraktuar nga ndërmarrja e Ujësjellësit për shtrirjen e linjës së re, projekt i Bankës Botërore.

Sipas banorëve, duke hapur kanalet për futjen e tubacionit, firma ka bllokuar kanalet e ujërave të larta, duke bërë që me shirat e parë të kemi përmbytje në zonën e ish-Kënetës, e cila është mjaft e ekspozuar nga ky faktor. Ata kërkojnë që firma të sistemojë paralelisht edhe problemin e ujërave të larta.

Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, (pjesë e Grupit të Bankës Botërore) ka akorduar një hua prej 83.5 milionë euro, që synon përmirësimin e rrjetit ekzistues të qytetit të dytë më të madh të vendit dhe njëri prej destinacioneve kryesore turistike të vendit, si dhe porti kryesor i Shqipërisë.

Të kontaktuar nga mediat, inxhinierët e UKD-së, thanë se do të rishikojnë këtë problem të ngritur nga banorët e zonës se ish-Kënetës.