Jo vetëm hajdutët profesionistë kanë mësyrë prokurorinë e Durrësit, por edhe ata në fshatra u janë sulur shtëpive të banorëve të zonës. Rasti më i fundit vjen nga fshati Sukth Katund. Këtu banorët e fshatit po qëndrojnë pa gjumë, në ruajtje të shtëpive të tyre dhe të mallit e gjësë së gjallë. 

Familja Priska ka rënë pre e hajdutëve një natë më parë. Hajdutët morën çfarë ishte e çmuar në këtë shtëpi fshati, 120 kg raki dhe 50 litra verë, të cilat ishin ruajtur për t’u shitur nga të zotët e shtëpisë. Cicile Priska deklaroi se ashtu si familja e saj, e gjithë lagjja ka rënë pre e hajdutëve, të cilët vjedhin nga shtëpitë rakinë dhe verën.

Kryefamiljari Nikollë Priska tha se banorët e fshatit Sukth Katund kanë disa ditë që po kalojnë netë të frikshme, duke mos vënë gjumë në sy nga vjedhësit e banesave. Vetëm në lagjen ku ata banojnë, janë vjedhur rreth 6 banesa me thyerje dhe janë grabitur sasira të konsiderueshme alkooli që fermerët e prodhojnë nga vreshtat e tyre.

Vjedhjet seriale kanë ndodhur në netë të ndryshme, në 5 banesa të tjera ku janë marrë mbi 700 litra raki. Banorët dyshojnë se vjedhësit kanë qënë me furgon, pasi enët e vjedhura janë gjetur të zbrazura në afërsi të banesave të vjedhura. 

Priska ben me dije se është bërë denoncimi në polici, por deri tani nuk janë gjetur e as identifikuar autorët që po terrorizojnë fshatin.

Në këtë fshat, vjedhje banesash ka pasur edhe vitin e kaluar, të cilat nuk janë zbuluar ende.

K.H.