Hapësira ku deri më 26 nëntor ngrihej pallati 6-katësh me numër 1032 po transformohet në një lulishte, ndërsa më pas aty do të vendoset edhe një memorial.

Punonjësit e ndërmarrjes “Rruga” ishin duke sistemuar paraditen e sotme sipërfaqen e tokës, po vendosnin bordurat rrethuese, ndërsa më pas do të jenë punonjësit e NSHK-së që do të mbjellin lulet apo bimët dekorative.

Pallati nr.1032, i njohur ndryshe dhe si pallati i Baronsit, u shemb në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit 2019, duke u marrë jetën dy banoreve të tij, Nafije Rexhepit dhe Xhulieta Gjanës. Pavarësisht këmbënguljes së banorëve të tjerë të pallatit, të cilët protestuan disa herë për ndërtimin e godinës në po të njëjtin vend, në hapësirën në fjalë do të vendoset një memorial në kujtim të viktimave.

Në një reagimin zyrtar pas protestës së banorëve, muaj më parë, Bashkia Durrës deklaroi se qytetarët do të strehohen në shtëpi të reja që do të ndërtohen në lagjen nr.17 në pallatin e Kastratit.