Në orën 21:30 të mbrëmjes së të shtunës, në oborrin e familjes B.Beqiraj në Spitallë të Durrësit, është gjetur një granatë e pashpërthyer.

Familjarët kanë lajmëruar menjëherë forcat e policisë, të cilat mbërritën në vendngjarje dhe sekuestruan granatën e pashpërthyer.

Nga marrja në pyetje e kryefamiljarit, është bërë me dije se ai nuk ka pasur konflikte me ndonjë person. Prej pak ditësh ai është kthyer nga Anglia ku jeton e punon, për të kaluar pushimet në atdhe.

Edhe nga marrja në pyetje e fqinjve të familjes Beqiraj, ata kanë thënë se nuk janë në dijeni të ndonjë konflikti të familjarëve ku u gjet granata.

Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve që mund ta kenë hedhur granatë. Një ndër pistat e tjera ku po hetohet, është edhe mundësia e lënies së granatës nga ndonjëri prej vetë anëtarëve të familjes. Kjo pasi granata është e vjetër dhe ndoshta mund ta kenë pasur në shtëpinë e tyre prej vitesh.