Ndahet nga jeta në moshën 71-vjeçare ish-ushtaraku i lartë, kapiteni i rangut I, Çapajev File. File e humbi mbrëmë betejën me koronavirusin, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, në Tiranë, ku ndodhej i shtruar prej ditësh.

Ndarja nga jeta e tij ka lënë të dëshpëruar familjarët, miqtë, ish-kolegët dhe gjithë dashamirësit e tij.

Çapajev File ka pasur një karrierë të gjatë në Forcën Detare dhe megjithëse vitet e fundit kishte dalë në pension vijonte të ishte mjaft aktiv në aktivitetet e ndryshme të zhvilluara nga Forca Detare. Me rastin e 70-vjetorit të lindjes, File u nderua me Medaljen e Mirënjohjes nga Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, me motivacionin “Dalluar për kontributin e dhënë si ushtarak me një karrierë të spikatur në shërbim të Forcës Detare”. 

Në të gjitha postet e rëndësishme që ka mbajtur gjatë karrierës së gjatë 44-vjeçare në Forcat e Armatosura, File është dalluar për përkushtimin dhe profesionalizmin në detyrë.

Njëkohësisht, Çapajev File ishte një anëtar i nderuar i Rotary Club dhe pjesëmarrës aktiv në veprimtaritë e ndryshme të organizuara nga kjo shoqatë në qytetin e Durrësit dhe më gjerë.

Ngushëllimin për ndarjen e tij nga jeta ka shprehur në rrjete sociale edhe Shoqata Atdhetare “Sazani”, që shkruan: “U nda nga jeta në moshën 71 vjeçare shoku ynë Z .Çapajev File.ish banor i Sazanit, ish ushtarak i lartë ku ka shërbyer në F.L.D. Duke i shprehur ngushëllimet familjes të prehet i qetë,për në do ngelet i pa harruar”.

Varrimi i Çapajev Files zhvillohet sot në orën 13.00, në qytetin e Durrësit.

Kush ishte Çapajev File?

Kapitenin i rangut I (në pension) Çapajev File ka shërbyer për rreth 44 vjet në Forcat e Armatosura, kryesisht si pedagog në Akademinë e Detarisë dhe Akademinë e Forcave të Armatosura. 

Ai ka shërbyer gjithashtu në detyra të rëndësishme në Forcën Detare, duke filluar nga komandant Katri Silurues në ishullin e Sazanit, shef stërvitje në Bazën Ushtarake të Vlorës, komandant i Grupit të Anijeve Mbiujëse në Bazën e Durrësit, komandant i Shërbimit Hidrografik shqiptar, kapiten i Përgjithshëm i Porteve dhe shef i Shtabit të Forcës Detare.