Brenda një muaji e gjysëm pritet të nisë rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Jusuf Puka”. Shkolla i ka mbyllur dyert që nga muaji tetor, pasi, sipas DAR Durrës, nuk plotësonte kushtet e sigurisë për zhvillimin normal të procesit mësimor. Për të mos vënë në rrezik jetën e nxënësve dhe stafit pedagogjik, procesi mësimor zhvillohet pasditeve në shkollën “Bedrie Bebeziqi”.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, në fillim të marsit, u miratua fondi prej 45 milionë lekë të reja për rikonstruksionin e godinës shumëvjeçare. Miratimi i fondit i hapi rrugë nisjes së procedurave të tenderimit, për të nisur më pas firma fituese e tenderit rikonstruksionin e shkollës në qendër të Durrësit.

Burime të bashkisë, konfirmojnë për DurrësLajm se gjithçka do të jetë gati në muajin shtator, kur edhe nis viti i ri shkollor. Nxënësit pritet ta zhvillojnë procesin mësimor në ambiente të rikonstruktuara. Në momentin kur u vendos transferimi i nxënësve të shkollës “Jusuf Puka” tek shkolla tjetër “Bedrie Bebeziqi”, vendimi u prit nga ankesa të shumta të prindërve, të cilët nuk ishin aspak të kënaqur nga gjendja e shkollës pritëse.

Shumë nga godinat e shkollave të qytetit të Durrësit lënë për të dëshiruar, pasi janë ndërtuar dekada më parë dhe nuk i janë nënshtruar rikonstruksionit. Pas gati dy vitesh pritjeje, përfundoi në fillim të këtij viti shkolla 9-vjeçare “Marie Kaçulini”, ndërsa tashmë ka nisur procesi i rikonstruksionit edhe tek shkolla artistike “Jan Kukuzeli”.

Në dy vitet e fundit janë rikonstruktuar 3 shkolla; “14 Nëntori”, “Jusuf Ferra” dhe “Myslim Hidri” në Arapaj. Ndërkohë në shkollën profesionale "Beqir Çela" në Shkozet u ndërtua një godinë e re me fondet e Ministrisë së Ekonomisë, ndërsa pritet edhe rikonstruksioni i godinës ekzistuese, e cila ka nevojë për ndërhyrje urgjente. 

M.B.