Pas gati dy dekadash kërkesash të përsëritura e të vazhdueshme nga ekipi i mësuesve e nxënësve, ka nisur këtë javë rikonstruksioni i shkollës artistike “Jan Kukuzeli”. Nxënësit janë zhvendosur turni i dytë në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti” në lagjjen 1 si shkolla më e afërt.

Bashkia e Durrësit i ka hapur dritën jeshile rikonstruksionit të shkollës artisitike “Jan Kukuzeli”, e cila ka nxjerrë breza artistësh të mirëfilltë në 2018-n . Bashkia e Durrësit në fund të muajit tetor 2018, zhvilloi tenderin publik për rikonceptimin dhe rikonstruksionin e shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli”, Durrës. Bashkia ka vënë në dispozicion fondin limit 219 milionë e 700 mijë lekë të rinj ose mbi 1 milion e 700 mijë euro. Tenderi u fitua në vleren 160 milion lekë.

Afati kohor për realizimin e kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme në arsimin parauniversitar artistik është vendosur për 15 muaj. Projekti është bërë nga studioja projektuese “DEA” .

Ndër vite, shqetësimi kryesor në këtë shkollë ka qenë amortizimi i tejskajshëm i saj. Rrjeti elektrik është djegur disa herë duke shkaktuar në vite panik te nxënësit e shkollës, ndërsa ambientet kanë qenë tërësisht të papërshtatshme për t’u zhvilluar procesi mësimor.

Shkolla e mesme artistike “Jan Kukuzeli” ka një histori mbresëlënëse për përgatitjen e kuadrove të shumta të artit dhe kulturës. Nga bankat e kësaj shkolle kanë dalë ndër vite me dhjetëra talente spikatëse që kanë kontribuuar nëpër festivalet artistike të vendit si kompozitorë të shquar dhe drejtues të talentuar të skenave, ndërsa pas viteve ’90, shumë ish-nxënës të kësaj shkolle kanë kontribuar me shumë sukses në skenat botërore të Perëndimit.

Shkolla në fillimet e veprimtarisë së saj ishte emërtuar shkolla e mesme e muzikes “Mujo Ulqinaku”, ndërsa më pas u emërtua “Jan Kukuzeli”, i cili është cilësuar si kompozitori i çuditshëm, i mistershëm, mit dhe novator, i përmasave epokale. Në dokumentet e hershme të vitit 1550, përmendet dhe nënvizohet qartë fakti se “Jan Kukuzeli lindi në qytetin e Durrësit dhe mbasi kaloi vitet e fëmijërisë u vendos në Kostandinopojë”. Jan Kukuzeli është cilësuar shqiptari me një zë engjëllor, Gjeniu nga Durrësi që i dha melodinë shpirtit të Bizantit. Në çerekun e parë të shekullit XIV, ai konsiderohej dhe ishte shpallur “lider i kompozicionit muzikor në tërë perandorinë bizantine”.

K.H.