Vetëm 4 nga 14 punonjës që ka në total laboratori pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Durrës u është bërë tamponi gjatë ditës së sotme, pas daljes pozitive të një laboranteje me Covid-19.

DurrësLajm mëson se vetëm këta punonjës janë dërguar në shtëpi dhe janë vendosur në karantinë 14 ditore, pavarësisht rezultatit të tamponit që pritet të dalë nesër, ndërsa punonjësit e tjerë kanë vijuar punën normalisht.

Përveç dezinfektimit të ambienteve, të bërë që herët në mëngjes, ky laborator ka vijuar të funksionojë si çdo ditë, krejt ndryshe nga si u veprua me institucione të tjera në Durrës, ku një apo dy punonjës kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

Kujtojmë se institucioni i Kadastrës u mbyll për dy javë dhe nuk ofroi shërbime për qytetarët, pas daljes pozitive të dy punonjëseve.

Po ashtu edhe bashkia e Durrësit u mbyll duke ofruar shërbim të kufizuar për qytetarët vetëm përmes zyrës së informacionit.

Nëse punonjës të tjerë të laboratorit do të rezultojnë ditën e shtunë pozitivë, pritet që tamponi t’i bëhet të gjithë personelit.