Nga BUJAR QESJA

19 janari 2021 na erdhi me një tjetër lajm të dhimbshëm. Në këtë kasapsanë jetësh njerëzore, na largohet edhe Pëllumb Shaba. Ashtu siç e kishte emrin, ashtu edhe ishte, një lajmëtar i së mirës, i së bukurës, i punës dhe i shpresës, i këmbënguljes dhe i pasionit, i shoqërisë dhe i miqësisë, i familjes dhe i të afërmëve.

Mbi të gjitha Pëllumb Shaba ishte një punëtor i madh, shumë i madh. Ai ishte dhe mbeti një hero i punës, me një përkushtim të jashtëzakonshëm. E kam prekur vetë realitetin e punës së tij. Kur isha në gjimnaz, kam punuar në verë në Parkun Automobilistik të mallrave, një qendër e spikatur punëtorësh të zot, të aftë, por shumë të lidhur dhe miqësor me njëri tjetrin.

Kisha dëshirë të punoja xhenerik, profesioni më i vështirë i zbërthimit dhe meremetimit të automjeteve. Im atë kërkonte të më mësonte me punën, me vlerat e djersës tënde, pasi ajo që prodhon vetë të shikon më shumë. Atje jam njohur me një luan të vërtetë, me një gjigand të punës. Dhe befasia vinte së bashku me kureshtjen. Dhe ky gjigand ishte me shtat mesatar dhe me trup të brishtë. Por në vënd të zemës ai kishte një mekanizëm të fuqishëm, që ia zbardhi faqen dhe e bëri hero të të gjthëve. Ky ishte Pëllumb Shaba. Aty e njoha dhe miqësia me të, nuk do të më ndahej tërë kohën.

Ky Pëllumb Shaba, që iu dha lamtumira e fundit, në këtë të ftohtë të 19 janarit 2021, i bënte balestrat e makinave të “kërcenin”, e bënte krikun të “këndonte” dhe e bëntë më pas makinën të fluturonte. Djersë, po djersë ama, kam parë të shpërthejë si një ujvarë në trupin e Pëllumb Shabës, këtij mjeshtri dhe udhërrëfuesi të punëtorisë.

Janë përralla puna e sistemit. Ai skishte të bënte me këtë. Megjithëe kam dëshirë ta përmënd një fakt. Çdo punëtor ishte i normuar. Dhe me statistikë, ndonëse Pëllumb Shaba doli në pension para vitit 1990, normimi i punës së tij e bënte të kishte avancuar deri në vitin 2026. Edhe në dhe i vendosur, mua më duket se Pëllumb Shaba ende po punon.

Puna dhe Pëllumb Shaba, Pëllumb Shaba dhe puna, përbënin një turbinë të fuqishmem përvese binomit plotësues për njëri tjetrin, që prodhonte atë energji që ndizte fuqishëm shpresën, e një prodhimi të pashtershëm. Pëllumb Shaba ishte frymëzues dhe jo i sistemit, jo për të bërë trimin tani, por për të qenë shumë objektiv, apo siç shprehemi shpesh realist. Pëllumb Shaba ishte edukuar me punën, e donte punën dhe nuk rrinte pa e mbledhur bukën të bërë ujë nga djersa e florinjtë e lëkurës së tij.

Vetëm për këtë Pëllumb Shaba do të mbetet modeli i njeriut të gjallë, të shkathët, me një oratori popullore, me një humor ngacmues, por me një nxitje shumë të fuqishme në mos ti ngjaje të paktën tiu ofroje sadopak mrekullisë së tij.

Ai sistem kishte nevojë për ta bërë shembull këtë punëtor të paparë, jo se ai e donte të bëhej kështu. Pëllumb Shaba bënte mirë atë që ishte më e mira, puna e tij e mrekullueshme, me atë djersë që i vinte era dinjitet, moral i pacënuar i veshur me psikologjinë e fitimtarit.

Ky brez ka nevojë t’i njohë shembujt e mirë të tij, jo të komunizmit, as të socializmit, as edhe të kapitalizmit, por të durrsakëve punëtorë që nuk kanë njohur politikë, por urtësinë e mendimit dhe forcën e madhe të muskujve të tyre.

Pëllumb Shaba ishte edhe një tifoz i madh i “Lokomotivës”. Ai kishte për grua, motrën e mikut tonë të mënçur, një njeriu që ia ndjejmë mungesën Hasan Mezes. Ishte baba me tre vajza, por kishte më për zemër, nga ajo zemra e tij sportive, nipin fort të dashur Mariel Shehun. Marieli, shqiptari ynë, është kampion në mundje keç në Verona të Italisë dhe emër i dëgjuar i këtij sporti. Delli shqiptar i forcës, është fitues kudo që të ndodhet pjesë e gjakut tonë.

Ja pra, nuk kishte se si ta lija në harresë Pëllumb Shabën, këtë hero të punëtorisë durrsake, këtë djalë energjik të Durrësit, këtë modest dhe frymëzues të shoqërisë tonë. Pëllumb Shaba tregoi në jetën e tij, se si mund të jetohet dhe të bësh emër me djersën e ballit, duke patur si investimin më të madh të jetës së tij, krahët dhe muskujt e hekurta të fizikut të tij, të atij fiziku që e mbajti deri në moshën 84-vjeçare.

Lamtumirë Pëllumb Shaba, njeriu i çmuar i Durrësit dhe floriri i shoqërisë!