Durrësi i dha sot lamtumirën e fundit njërit prej qytetarëve më të nderuar dhe respektuar në qytetin bregdetar, arkitektit të njohur Hajdar Kovaçi. Arkivoli me trupin e të ndjerit, para se të shkonte në banesën e fundit, u ndal në sheshin para bashkisë së qytetit, ku ishin mbledhur familjarët, miqtë dhe kolegët e tij. Për shkak të pandemisë Covid-19, zhvillimi normal i ceremonisë mortore është i pamundur, prandaj ishte zgjedhur kjo formë lamtumire për të nderuar një nga qytetarët më të respektuar në Durrës.  

Për miqtë e tij të Rotary Club, ndarja nga jeta e Dar Kovaçit, siç e njihnin të gjithë, ishte një goditje e fortë dhe një humbje e madhe.

Për mikun e tij Vasil Martopulli, Kovaçi ishte një qytetar model.

“Është një humbje shumë e madhe për familjen në radhë të parë, për njerëzit e afërt, për ne miqtë, për Rotary Club të Durrësit. Dari ishte nga ata intelektualë dhe personalitete që kanë dhënë shumë për Durrësin. Nëse nuk do të kishte qenë pandemia, ne të dy do të ishim duke bërë not sot”,– tha Martopulli.

Ndërsa Tatjana Gjepali theksoi gjatë fjalës së saj se humbja e Kovaçit ishte humbja e dytë e rëndë për Rotary Club të Durrësit, brenda një kohe shumë të shkurtër.

“Ne patëm edhe një humbje tjetër mes miqve rotarianë, u nda nga jeta pak ditë më parë Çapajev File. Nuk e prisnim që të ndodhte dhe kjo. Për ne është një humbje për qytetin. Dari, me punën e tij, i solli zhvillim Durrësit”,- tha Gjepali.

Gjatë karrierës së tij të gjatë dhe detyrave të rëndësishme që ka mbajtur, Kovaçi do të mbahet mend edhe për angazhimin e tij të gjatë pranë degës lokale të PD. Kreu aktual i PD Durrës, Ferdinand Xhaferaj tha për DurrësLajm, se humbja e Kovaçit nuk është një humbje vetëm për PD-në, por edhe për qytetin e Durrësit, të cilin ai aq shumë e deshi dhe aq shumë dha gjatë angazhimit të tij të gjatë si arkitekt dhe intelektual. 

“Hajdar Kovaçi ishte modeli i njeriut të urtë, dashamirës, modeli i njeriut modern. Përtej Partisë Demokratike, Hajdar Kovaçi përket gjithë qytetit të Durrësit”,- tha Xhaferaj.

Për t’i dhënë lamtumirën Kovaçit, para se të nisej drejt banesës së fundit, ishte i pranishëm edhe ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Për Dakon, Kovaçi ishte një mik dhe një personalitet i qytetit bregdetar.

“Kovaçi ishte një njeri që ka kontribuar për këtë qytet, një njeri që reflektonte pozitivitet. Nuk mundëm dot që t’i bënim shërbimin e merituar, në këtë ditë të fundit të jetës së tij, por për shkak të pandemisë, duhet të respektojmë rregullat”, – tha Dako.

Arkitekti Hajdar Kovaçi u nda nga jeta një ditë më parë, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, pas një beteje më shumë se 3 javore me Covid-19.

M.B.