Nga Mila Ballhysa

6 muaj nga tërmeti, fati i pallateve shumëkatëshe të dëmtuara rëndë në Durrës është ende i paqartë. Nga 260 pallate për të cilat është kërkuar nga bashkia akt-ekspertiza e thelluar, përgjigja nga Instituti i Ndërtimit ka ardhur vetëm për 50 prej tyre. Deri tani dihet që janë 4 pallate që do shemben, nga të cilët vetëm ai me numrin 1062, në lagjen nr.7 të qytetit u shemb me tritol. Të tjerët pritet të shemben në ditët apo javët në vijim.

Nënkryetari i bashkisë Florian Tahiri deklaron se pushteti vendor është ende në pritje të përgjigjeve që duhet të vijnë nga Instituti i Ndërtimit. 6 muaj nga tërmeti, Instituti ka sjellë në bashki vetëm 1/5 e akt-ekspertizave të kërkuara për pallatet. Banorëve të mbetur pa shtëpi do t’u duhet ende të presin për të ditur fatin e pallatit të tyre. 

“Ne i kemi dërguar Institutit të Ndërtimit 1050 kërkesa për ekspertizë të thelluar, nga të cilat 260 janë pallate. Ndërkohë, në bashki kanë ardhur 523 ekspertiza të thelluara, nga të cilat vetëm 50 janë për pallate. Jemi në pritje të akt-ekspertizave të tjera, për të vijuar me procedurat e mëtejshme”,- thotë Tahiri.

Për banorët problem më vete mbetet siguria e pallateve, në rastet kur Instituti do të vendosë për riparimin dhe jo shembjen e tyre. Ka me dhjetëra pallate të dëmtuara rëndë, të shpallura të pabanueshme, fati i të cilëve nuk është përcaktuar ende. Nëse Instituti i Ndërtimit do të vendosë për riparimin e tyre, firma që do të marrë përsipër rikonstruksionin duhet të hartojë projektin, ta paraqesë atë për miratim në Institutin e Ndërtimit dhe vetëm pasi të marrë prej këtij institucioni miratimin do të pajiset me leje ndërtimi nga bashkia.

“Të gjitha pallatet e larta që kanë pasur probleme në kolona apo vertikalitet ne i kemi dërguar për ekspertizë të thelluar. Nëse Instituti i Ndërtimit vendos për riparimin e godinës, kompania që do të marrë përsipër rikonstruksionin e pallatit bën projektin dhe e dërgon për oponencë tek Instituti i Ndërtimit. Në momentin që Instituti pranon projektin, kompania vjen në bashki dhe aplikon për leje ndërtimi. Kompania që bën projektin e rikonstruksionit nuk është domosdoshmërisht po ajo që ka ndërtuar pallatin”,- thotë Tahiri.

Me mijëra janë familjet durrsake të mbetura të pastreha nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, por programi i Rindërtimit duket se nuk do të nisë së shpejti në Durrës. Në Këshillin Bashkiak janë miratuar deri tani vetëm 2 nga planet e detyruara vendore, për zonën e Spitallës dhe për zonën e Shkozetit. Plani i detyruar vendor për lagjen nr.18 u tërhoq vetëm pak orë para zhvillimit të mbledhjes së 20 majit, ndërsa plani tjetër për zonën e Shkozetit nuk është prezantuar ende. Në komunikimin në Facebook, ditën e diel, kryeministri Rama deklaroi se vetëm nga vjeshta pritet të nisë programi i Rindërtimit në Durrës. Nëse dikush shpresonte për një zgjidhje brenda vitit 2020, ky duket mision i pamundur.

“Në 45-60 ditët e ardhshme do të jemi në kantieret e shtëpive të reja individuale dhe të shkollave, kopshteve dhe qendrave të reja shëndetësore. Ndërsa në vjeshtë do të kemi në punë edhe kantieret e mëdha të lagjeve të reja në Tiranë dhe Durrës”,– tha kryeministri Rama një ditë më parë.

Por nuk është vetëm riparimi i pallateve apo programi i Rindërtimit që i shqetëson familjet durrsake të dëmtuara nga tërmeti. Bonusi i qirasë është një shqetësim më vete. Ndërsa prisnin që gjatë muajit maj të niste rimbursimi i këstit të pestë, ai nuk ka kaluar ende, ndërkohë që ka familje që nuk kanë marrë akoma këstin e katërt.

“Nuk është vonesa nga ana e bashkisë, por nga ana e bankave. Afati i kalimit të parave nga Ministria e Financave, tek Banka e Shqipërisë dhe nga BSH tek bankat e nivelit të dytë zgjat rreth 1 javë apo 10 ditë. Kjo është arsyeja e vonesës”,- thotë Tahiri.

Deri tani në Durrës janë shembur me një shpejtësi për t’u pasur “zili” vetëm shkollat e dëmtuara nga tërmeti, ndërkohë që u shemb edhe një pallat ku banorët jetonin aty që prej 26 nëntorit, ndërsa nuk dihet se ç’do të ndodhë me pallatet që janë të shkretuara që nga ajo natë e frikshme e 6 muajve më parë.

Ndërsa ka me qindra banorë që kaluan dimrin në çadra dhe tani përgatiten të kalojnë edhe verën, procesi i rindërtimit të banesave private ende nuk ka nisur. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 14 maj u miratua vendimi për shembjen e 86 shtëpive private në njësinë administrative Manëz.

“Sapo të shemben këto banesa do të nisë procesi i Rindërtimit”,- tha Tahiri.

Në shumë lagje të dëmtuara rëndë nga tërmeti, panorama që ato ofrojnë është e njëjta me atë të 26 nëntorit. “Kafshimet” në muraturën e pallateve shumëkatëshe të kujtojnë plagët e qytetit që tenton rimëkëmbjen pas një goditje shumë të fortë.

Kryeministri Rama, sa herë pyetet nga qytetarët durrsakë për riparimin e pallateve, bën apel për durim. Dhe qytetarëve nuk u mbetet gjë tjetër vetëm të forcojnë durimin…