Pas tërmetit shkatërrimtar që goditi Durrësin, viktimave që la pas dhe një pjesë e madhe e pallateve dhe banesave që u shkatërruan, të trishta dhe pikëlluese ishin pamjet e dy ditëve pas tij, kur me dhjetëra durrsakë i hipën makinave dhe u larguan drejt qyteteve të largëta të Shqipërisë apo edhe drejt Kosovës.

Nga frika e lëkundjeve sizmike të vazhdueshme dhe nga përhapja e panikut që do të kishte përmbytje në qytet natën e së enjtes, çka do të vështirësonte edhe më tej situatën, i shtyu një pjesë të madhe të banorëve të braktisnin qytetin e shtëpitë e tyre e të kalonin natën larg Durrësit.

Por ashtu siç pritej me qetësimin e situatës, kthimi i durrsakëve ka nisur që këtë të shtunë. Shumë qytetarë pasi kanë kaluar 1 apo 2 net jashtë Durrësit, më tepër për të fjetur disa orë gjumë të qeta duke shfrytëzuar edhe fundjavën e ditët e pushimit që kishin përpara, sonte kanë filluar të rikthehen në qytet e të rinisin jetën e tyre të përditshme.

Automjetet e banorët po rimbushin lagje të ndryshme, qyteti po nis të gumëzhijë sërish. 
Shumë banorë e familje të ndryshme në qytet, në kontakt të vazhdueshëm me “DurrësLajm”, kanë pohuar se po kthehen që sonte dhe një pjesë e madhe pritet të vijnë të dielën, për të rinisur aktivitetin e zakonshëm të hënën.

Edhe Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi të jashtëzakonshëm me ambasadorët këtë pasdite, bëri thirrje që banorët të rikthehen në Durrës, pasi situata paraqitet normale.

Teksa nesër nis një muaj i ri dhe me shpresën e urimin për të qenë sa më i mbarë, të hënën më 2 dhjetor pritet të rihapen të gjitha aktivitetet, ndërmarrjet e bizneset private që u mbyllën në këto ditë të vështira e fatkeqe të fundnëntorit. Dhe me fundin e këtij muaji që po lëmë pas, urojmë ditë të qeta për të gjithë bashkëqytetarët tanë…

Durrësi do të gjallërohet sërish, shumë shpejt!

(Pamjet e saporegjistruara në zonën e Vollgës)