Në Durrës rrezikon të përsëritet e njëjta situatë e rëndë mjedisore si ditët e para të qershorit 2020.

Prej dy ditësh, kamionët e Ndërmarrjes së Shërbimit Komunal në Durrës dhe Plazh nuk lejohen të shkarkohen nga kompania koncesionare që administron landfillin e Sharrës.

Nga një vëzhgim që “DurrësLajm” bëri ditën e sotme në disa prej pikave të grumbullimit të mbetjeve urbane, kazanët ishin plot e përplot, e në shumë vende plehrat dergjeshin edhe përdhe.

Situata e vështirë pranohet edhe nga drejtuesit e NSHK Durrës, të cilët thonë se kamionët janë të mbushur plot e qëndrojnë te bllokuar prej dy ditësh.

Në qershor të vitit të kaluar, Durrësi u përball për rreth një javë me një situatë katastrofike mjedisore, pasi mbyllja e pikës së grumbullimit të mbetjeve në Porto Romano, ku po ngrihet Eco Parku, la qytetin bregdetar pa një vend depozitimi të plehrave. Pas rreth një jave që plehrat mbuluan Durrësin, qeveria mori përsipër të paguante faturën financiare tek koncesionari i Sharrës, pasi bashkia e ka të pamundur ta përballojë me buxhetin e saj.

Bashkia e qytetit bregdetar prodhon çdo ditë rreth 200 tonë plehra në ditë, ndërkohë që më datë 11 qershor 2020, Këshilli Bashkiak miratoi shpalljen e emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve në territorin e Bashkisë Durrës për shkak të mbylljes së venddepozitimit në Porto Romano.

Më 8 qershor 2020, Ministria e Financave dhe Ekonomisë shprehu gatishmërinë për avancimin e transfertës së pakushtëzuar të shpërndarë për bashkinë Durrës sipas tremujorëve për vitin 2020, me qëllim zgjidhjen e emergjencës imediate të krijuar me trajtimin e mbetjeve urbane.

Në datë 24 qershor 2020, kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako në një prononcim për mediat tha se do të kryhet një analizë e detajuar për të ditur më tej se si do të menaxhohet çështja e mbetjeve në qytetin e Durrësit.

“Ne kemi marrë një zgjidhje të përkohshme nga qeveria shqiptare për evadimin e mbetjeve nga Durrësi, duke qenë se Porto Romano është mbyllur dhe kemi një projekt ambicioz atje për t’u kthyer në park. Bashkia dhe qarku Durrës do të ndërmarrin hapat ligjorë për hartimin e planeve të studimit në mënyrë që këto plane të na japin rezultatet finale se cfarë do të ndodhë me mbetjet e Durrësit”, tha Sako.