Me afrimin e festave të fundvitit, qyteti bregdetar i Durrësit  ka veshur petkun festiv. Pema e madhe e bredhit u vendos fillimisht në sheshin “Veliera”, punimet e të cilit kanë mbetur pezull, ndërsa bredhi i dytë është vendosur sot sheshin “Liria”. Me fondin e akorduar nga bashkia e Durrësit këtë vit si risi kanë hyrë yjet e akullit që do të ndriçojnë sheshin kryesor.

Bashkia e Durrësit ka lëvruar 3.9 milionë lekë të reja për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit.

Përreth bredhit të ndriçuar janë vendosur dekore të ndryshme me tematikë festat e fundvitit si shtëpizat e drunjta dhe lodrat e argëtimit, kryesisht për të vegjlit. Dekorit festiv, të vendosur nga bashkia në rrugët kryesore të qytetit, i janë bashkuar subjektet private të cilët kanë ndriçuar vitrinat e ambienteve të tyre, duke afruar në kohë festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. 

Këtë vit dekori përfshin disa rrugë duke nisur nga hyrja e Durrësit, rruga “Aleksandër Goga”, “Egnatia”, “Rruga tregtare” etj. Florenc Hyka, nga sektori i mirëmbajtjes në Bashki deklaroi se janë përdorur jo vetëm materialet e përgatitura këtë vit, por edhe ato që janë ruajtur nga vitet e shkuara. 

Pavarësisht kësaj ndezja e dritave festive nuk ka përfunduar në të gjitha rrugët kryesore, ndërsa nuk është përcaktuar ende nëse do të ketë një program artistik për durrsakët në sheshet kryesore të qytetit gjatë netëve të festave.

K.H.