Pas më shumë se 10 vitesh beteje ligjore pa rezultat, Mikel Sholla, durrsak i vjetër, ka vendosur të hyjë në grevë urie. Ai vijon t’u bëjë thirrje institucioneve më të larta të gjyqësorit të kontrollojnë vendimet e gjykatës së Durrësit, që bien ndesh me njëra-tjetrën.

Sholla figuron pronar i një trualli në lagjen numër 11, vetëm 200 metra larg prej godinës së gjykatës dhe prokurorisë së Durrësit. Truallin ia ka dhënë për ndërtim një kompanie dhe sipas kontratës përfitoi 150 metra katror banesë në 2015-n.

Por ndërtuesi e ka shitur më shumë se dy herë të njëjtin ndërtim. Gjyqi ka vijuar me vite. Sholla e ka përfituar të drejtën e pronësisë në gjykatën e shkallës së parë e në Apel për banesën ku jeton. Në 2015-n, në mungesë të tij, një prej blerësve të pronës ka hapur sërish gjyq.

Disa ditë më parë, Sholla u përball me përmbaruesit që i shkuan në shtëpi për ta nxjerrë jashtë. Në gjendje të rënduar psikologjike, Sholla deklaroi para përmbaruesit se do vriste veten, pasi ndihej i lodhur dhe i pashpresë nga drejtësia shqiptare.

Pas humbjes së besimit ndaj organeve të drejtësisë, Sholla pohon se nuk i ka ngelur asnjë rrugë tjetër përveç vetëflijimit, që sot e nisi me grevë urie. Në pankartë, qytetari u kërkon “rishikim të vendimeve gjyqësore Presidentit të Republikës, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ministrit të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, ambasadorit amerikan.

K.H.