Sapo ka trokitur ora 16:00, që starton dhe orari kur qytetarët kanë mundësi për të lëvizur në këmbë deri në orën 18:00, durrsakët janë dyndur menjëherë të gjithë në shëtitoren “Taulantia” për të marrë pak ajër të pastër si dhe për të shfrytëzuar motin e mirë me diell.

Urdhri më i ri që publikoi mbrëmë kryeminstri Rama duke iu referuar vazhdës së masave që janë marrë për luftën kundër koronavirusit, privon të gjithë qytetarët që të lëvizin edhe përgjatë ditës, kjo nisur nga situata e ditëve të fundit, kur njerëzit nuk i zbatuan masat e marra për vetëkarantinim, por dilnin në plazh apo shëtitore. I vetmi orar që lejohet është ai në mëngjes kur shqiptarët mund të shkojnë në punë 06:00 – 10:00 dhe dy orë pasdite 16:00- 18:00.

Qytetarët në Durrës duket sikur janë liruar nga “qelitë” dhe kanë zbarkuar jashtë një pjesë e madhe, çka mund ta ndiqni në pamjet më poshtë që përcjell operatori i “DurrësLajm”.

Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme, një djalë i ri në lagjen nr.1, tentoi të dilte nga dritarja e pallatit, pasi gruaja e kishte mbyllur brenda që të mos gjobitej. Ai kërkonte vazhdimisht të dilte jashtë, dhe zgjodhi një mënyrë të rrezikshme për të dalë nga izolimi. Fatmirësisht, falë ndërhyrjes së uniformave blu, u bë e mundur që ai të shëptonte shëndoshë e mirë. Pasi u shpëtua nga policia, ai tha se donte të hidhej se nuk rrinte dot më brenda.