Rreth 1200 qytetarë të tjerë me dëmtime DS1, DS2 dhe DS3 do të përfitojnë grantin e rikonstruksionit të banesës në bashkinë e Durrësit.

“DurrësLajm” mëson se pas shqyrtimit të ankimimeve, bashkia ka vendosur se rreth 1200 qytetarë kanë plotësuar kushtet për përfitimin të vlerës së grantit.

Më 26 qershor, Këshilli Bashkiak i Durrësit miratuoi dhënien e ndihmës financiare, sipas listës së parë me 6257 subjekte përfitues të programit të grantit për rikonstruksionin ose riparimin e shtëpive individuale ose të banesave në ndërtesa (pallate), të cilat janë klasifikuar si objekte të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punim rikonstruksioni ose riparime, si pasojë e dëmtimeve nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019.

Ndërsa të gjithë personat që e patën emrin në listën e personave të pakualifikuar, pasi u informuan me problematikat respektive që ishin shënuar në listë, nisën aplikimin e ankimimit pranë Bashkisë së Durrësit.