Mbrëmjen e së hënës në zonën e Astirit në Tiranë, mbeti i vrarë në një atentat Vilson Tafçiu. Vrasja u krye rreth orës 20:45 minuta pranë një lokali,

28-vjeçari ishte ulur me disa persona të tjerë në lokal. Autorët e thirrën jashtë dhe e ekzekutuan me plumba në zemër në rrugicën pranë lokalit, i cili më pas ndërroi jetë.

Në lidhje me ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim një nga autorët e dyshuar të ngjarjes.

Pas këqyrjes se kamerave të sigurisë dhe marrjes së dëshmitarëve në pyetje, policia ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit për të ushtruar kontroll, por nuk e ka gjetur.

Vilson Tafçiu, jetonte në Dibër, por kishte ardhur në Tiranë të hënën për ceremoninë mortore të gjyshes së tij.

Emri i Vilson Tafçiut, nuk është i panjohur për policinë shqiptare. Më 7 mars të vitit 2018, ai u largua nga Shqipëria drejt Francës, ku vetëm 5 ditë më pas e arrestuan për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Drejtësia franceze e dënon atë me një vit burg, por pasi kreu 8 muaj dënim në paraburgim, më 6 nëntor të 2018-s, ai u deportua në Shqipëri. Një nga pistat e hetimit është edhe e shkuara e tij në Francë në fushën e narkotikëve.