Në përfundim të një viti të suksesshëm shkollor, nxënësit e klasës së parë B, të shkollës jopublike “Migjeni”, festuan mes tingujsh e vargjesh, emocionesh e mesazhesh një ndër festat më të bukura të fëmijërisë, festën e mbarimit të klases së parë.

E titulluar “Thesari i ëndrrave fëminore”, festa ishte konceptuar si një rrugëtim mes ishujve të panjohur për të zbuluar thesaret e dijes.

Klasa e mësuese Romina Kasembit, mes këngësh të kënduara nga vetë zërat e fëmijëve, vargjeve autentike e origjinale të shkruara nga vetë mësuesit e shkollës, kërcimeve nën dritën e skenës e ngjyrat e kostumeve popullore, mbushi plot e përplot sallën e madhe të koncerteve të Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”.

Ndryshe nga festat klasike, në skenë fëmijëve iu bashkuan edhe prindërit, duke përcjellë në publik emocione e përjetime të rralla e të veçanta.

Lot gëzimi, krenari prindërish, duartrokitje zemrash, të gjitha për t’i uruar këtyre vogëlushëve një udhëtim të mbarë në rrugëtimin e dijes plot sfida e suksese!