Edhe pse me kufizimet e pandemisë, “Shoqata e gruas” në Durrës ka shpallur, në këtë prag 8 Marsi, gratë më të suksesshme të qytetit përgjatë vitit që lamë pas.

Sipas Myzejen Kondurit, organizatores së këtij aktiviteti, që është kthyer në një traditë të bukur shumë vjeçare në qytetin bregdetar, gratë e evidentuara spikatën gjatë vitit 2020 me arritje të rëndësishme në sektorët ku punojnë.

Të pranishme në aktivitetin që u zhvillua në kushte të rrepta sigurie prej pandemisë ishin të pranishme edhe deputetja Klodiana Spahiu dhe biznesmenet e njohura Elsa Balteza dhe Eleni Babameto,

Gjatë aktivitetit, u mbajt një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të sipërmarrëses së njohur durrsake Shpresa Prodani, një nga mbështetëset e përvitshme të kësaj veprimtarie, që vlerëson kontributin profesional të dhënë nga gratë në sfera të ndryshme të jetës.  

Gratë e suksesshme të nderuara me diplomat përkatëse:

Mjekja infeksioniste Ornela Nuredini (Kalaja), që edhe gjatë aktivitetit nuk u ndal së lëshuari këshilla përmes telefonit.

Kryeinfermieria e Spitalit Rajonal të Durrësit, Ermioni Dabaj tha se të gjithë ata që janë përballur me pandeminë kanë marrë mirënjohjen e pacienteve.

Stomatologia Miranda Ibrahimi, që ju dëmtua klinika nga tërmeti dhe arriti që ta rindërtonte e të ishte pranë pacientëve të saj.

Biznesmenia Arberesha Marku, si bashkëdrejtuese e kompanisë me të shoqin, se patën aq të lehtë ecurinë e biznesit prej tërmetit e pandemisë, por nuk u ndalën për ta çuar përpara punën.

Agronomia e palodhur, Zana Lami u ndje e nderuar prej vlerësimit të rëndësishëm.

Ekonomistja Ekleona Kondi, një menaxhere e talentuar që spikat në zgjidhjen e problemeve, theksoi se veprimtari të tilla të motivojnë.

Më e reja e këtij grupi ishte Morena Boja, pedagoge dhe anëtare e Këshillit Bashkiak Durrës. Ajo premtoi se zëri i saj do të bëhej më i fortë për problemet e grave.

Ashtu si çdo vit tjetër, në këtë veprimtari, një vend të rëndësishëm zunë fëmijët në nevojë. Këtë herë “Shoqata e grave” u erdhi në ndihmë 20 fëmijëve të lagjes nr.18, që iu dëmtuan shtëpitë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019. Ata ndjenë edhe një herë ndjeshmërinë, humanizmin dhe dashurinë e njerëzve të mirë.