SPAK krijoi sot Seksionin kundër Krimit të Organizuar dhe Seksionin kundër Korrupsionit. Seksionet e reja u krijuan pas një mbledhjeje të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, ku u diskutuan probleme që lidhen me nevojën për rritje të efektivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale në këtë prokurori, si dhe probleme organizative.

“Altin Dumani emërohet Zëvëndës Drejtues i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Krimit të Organizuar”- njofton SPAK, duke shtuar se “Edvin Kondili emërohet Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

NJOFTIMI I PLOTË

Sot me datën 01.06.2020 u zhvillua një mbledhje e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, ku u diskutuan probleme që lidhen me nevojën për rritjet të efektivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale në këtë prokurori, si dhe probleme organizative. Në përfundim :

Duke vlerësuar faktin që specializimi për kategori të caktuara veprash penale është element thelbësor ndikues në rritjen e efikasitetit të ushtrimit të ndjekjes penale në përgjithësi ;

Nisur nga fakti se objekti i punës së Prokurorisë së Posaçme përfshin dy drejtime kryesore : ushtrimi i ndjekjes penale kundër krimit të organizuar dhe ushtrimi i ndjekjes penale kundër korrupsionit ;

Drejtuesi i Prokurorise së Posaçme, me Urdhërin nr. 87, datë 01.06.2020 ka vendosur që në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar prokurorët e ushtrojnë ndjekjen penale në dy seksione si më poshtë :

Seksioni Kundër Krimit të Organizuar.

  • Altin Dumani
  • Vladimir Mara
  • Behar Dibra
  • Ened Nakuçi
  • Doloreza Musabelliu
  • Elida Kaçkini

Seksioni Kundër Korrupsionit.

  • Edvin Kondili
  • Klodjan Braho
  • Enkeleda Millonai
  • Dritan Prençi
  • Sotir Kllapi

Nisur nga nevoja për të rritur efektivitetin e punës dhe ushtrimit të ndjekjes penale në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ;

Duke vlerësuar rezultatet në punë, aftësitë organizative, vlerësimin e përformancës etike dhe profesionale, si dhe vjetërsinë në punë si prokuror ;

Drejtuesi i Prokurorise së Posaçme, me Urdhërin nr. 87, datë 01.06.2020 ka vendosur që :

Zoti Altin Dumani emërohet Zëvëndës Drejtues i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Krimit të Organizuar.

Zoti Edvin Kondili emërohet Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.