Para dhe prona të paluajtshme në vlerën e 5 milionë eurove janë sekuestruar nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, që burojnë nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës.

Dy persona janë arrestuar si pjesë e një bande kriminale të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Evropës.

Të arrestuarit janë Arjan Ndoci 41 vjeç dhe Julian Deblini 35 vjeç, si dhe janë sekuestruar 5 milionë euro. Në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaruan se dy të arrestuarit janë pjesë e një bande të trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Një pjesë e parave të sekuestruara janë bllokuar në llogaritë bankare të dy të arrestuave dhe familjarëve të tyre, si dhe janë bllokuar pasuri të patundshme.

Operacioni i autoriteteve shqiptare është zhvilluar në bashkëpunim me policinë greke dhe atë spanjolle.