Ditën e sotme, bashkia e Durrësit ka publikuar në faqen zyrtare rezultatet e fazës së verifikimit të dokumentacionit të kandidatëve për postin e Drejtorit të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, në Drejtorinë e Përgjithshme Ligjore, Arsim Kulturës dhe Burimeve Njerëzore në Bashkinë Durrës. Kandidatët e interesuar patën kohë deri më 15 tetor për dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar.

Sipas njoftimit të bashkisë, të kualifikuar për vazhdimin e fazës së dytë të konkurrimit përmes procedurës së ngritjes në detyrë nuk ka.

Ndërkohë, përsa i përket të kualifikuarve për të vazhduar fazën e dytë të konkurrimit për procedurën e pranimit nga jashtë shërbimit civil është vetëm një kandidate:

• Stela Shkarpa

Në këtë fazë të konkurimit, kandidatja Shkarpa do t’i nënshtrohet testimit me shkrim dhe intervistës së strukturuar me gojë, të cilat do të zhvillohen më datë 1 nëntor në ambientet e Bashkisë Durrës.

Mesa duket, vendin e ish-drejtoreshës së Burimeve Njerëzore, Drita Zeneli, e cila u dorëhoq për arsye shëndetësore në fillim të muajit shtator, pas një qëndrimi 12-vjeçar në këtë post. pritet ta zërë një tjetër drejtoreshë.