Drejtori i ri i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës do të jetë Artur Çobani. Ai do të zëvendësojë Arjan Çengun, i cili erdhi në krye të këtij institucioni pak javë më parë, pas arrestimit të ish-drejtorit Liridon Pula. Mësohet se Çengu ka qenë në detyrë edhe gjatë ditës së sotme në ASHK Durrës. Prezantimi i drejtorit të ri Artur Çobani do të bëhet nesër (e mërkurë) në orën 09.00.

Çengu u komandua pasi Pula u arrestua për shpërdorim detyre dhe u la në burg nga Gjykata e Shkallës së parë. Megjithatë Pula u la i lirë pasi apeloi vendimin në Gjykatën e Apelit.

Drejtori i ri Artur Çobani ka mbajtur postin e shefit tekniko-ligjor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Kadastrës, po ashtu ka qenë i komanduar drejtor në Kavajë para shkrirjes së drejtorive të Aluiznit dhe Hipotekës.

ASHK Durrës javët e fundit ka qenë në qendër të vëmendjes edhe për shkak të operacionit policor "Rodoni", i cili çoi pas hekurave 18 persona, mes të cilëve 3 ish-drejtorë të Hipotekës Durrës dhe shpalli në kërkim 3 të tjerë.

Gjatë ditës së sotme, në kuadër të operacionit "Rodoni" u arrestua një tjetër person, 32-vjeçari A.R. nga Katundi i ri, i cili ishte shpallur në kërkim.