Gjykata e Durrësit ka hedhur poshtë ankimimin e bërë ish-prokurori i rrethit të Elbasanit, Dritan Gina, për të marrë nën hetim prokuroren e komanduar të vendit, Arta Marku.

Në një seancë të zhvilluar prej një ore kryetarja e seancës, Joana Qeleshi, njëkohësisht kryetare e Gjykatës ka argumentuar edhe pretendimet e ngritura nga Gina para se të vendoste të mos fillonte hetimin penal me akuzën e shpërdorimit të detyrës për Arta Markun.

"Ankimimi është i pabazuar në ligj e në prova. Gjykata e Durrësit vëren se shkaqet nuk plotësojnë elemente të veprës penale për të nisur një proces hetimor. Si përfundim, Gjykata nuk pranon ankimimin, lë në fuqi vendimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për mos fillim të çështjes hetimore për palën e paditur Arta Marku" -tha në fund të vendimit të arsyetuar, gjykatësja Joana Qeleshi.

Qeleshi arsyetoi se përsa i përket masës disiplinore, Gina ti drejtohet Gjykatës Administrative, për aq kohë sa nuk ka shkak për element të veprës penale.

Në seancën gjyqësore paditësi ish-kreu i komanduar i prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina bëri dy kërkesa. Ai tha se "prokuria e Durrësit nuk ka kompetencë për kallëzimin tim, sepse kam punuar për një kohë të gjatë këtu. Prokurorja e çështjes ka lidhje shoqërore me të paditurën Arta Marku."

Gina në seancë ka parashtruar sipas tij disa fakte jo ligjore që janë ndërmarrë për shkarkimin dhe pas shkarkimit nga detyra.

"Shkarkimi është bërë jo ligjor e për këtë kërkoj ndjekje penale me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila dha vendimin e përcolli dosjen në prokurinë e Durrësit pas ankimit tim. Në prokurorinë e Durrësit ka konflikt të pastër interesi e kërkoj që hetimet të bëhen nga një prokurori e një rrethi tjetër. Prokurorja e çështjes, Anita Jella, ka qenë shoqe grupi me Arta Markun. Lidhjet e tyre shoqërore mendoj që janë evidente sepse kanë qenë shoqe grupi në magjistraturë. Pas shkarkimit nga detyra në mënyrë të paligjshme ka nisur procedimi disiplinor sepse e denoncova rastin në media," -ka argumentuar para gjykatës prokuri Dritan Gina.

Prokurorja e çështjes, Anita Jella, i bëri të ditur nëpërmjet argumentave ligjorë se shkarkimi i Dritan Ginës nga prokuror i komanduar dhe kthimi në vendin e tij të mëparshëm ishte tërësisht brenda ligjeve për funksionimin e prokurorisë. Jella solli në vëmendje edhe akuzat e ngritura  nga Gina.

"Me Arta Markun kam qënë shoqe kursi në magjistraturë, njëkohësisht si edhe me bashkëshorten tuaj. Me ty jam i njëjti brez në fakultet, kemi përfunduar universitetin bashkë. Ky nuk është shkak për të thënë se ndikon në prova. Kërkojmë që të mos fillojë çështja sepse nuk ka shkelje ligjore nga ana e palës së paditur. Procedimin disiplinor ta ndjekë në rrugë tjetër ligjore," -tha prokurorja Jella.

K.H.