Prej gati një muaji kur vendi hyri në karantinim në kuadër të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19, mes morisë së aktiviteteve dhe shërbimeve të mbyllura ishte dhe Gjendja Civile.

Por prej dy ditësh, kjo zyrë është hapur dhe shërbimet ofrohen pjesërisht, pra ende jo të gjitha shërbimet janë të aksesueshme.

Drejtori i Gjendjes Civile për qytetin e Durrësit, Shpendi Hoxha, në një komunikim me “DurrësLajm”, bëri të ditur se aktualisht ofrohen vetëm dy shërbime: vetëm akte lindjeje dhe vdekjeje.

“Prej datës 8 prill i kemi hapur zyrat ku momentalisht kryhen vetëm dy veprime: Regjistrime lindjesh dhe regjistrime vdekjesh. Për shërbime të tjera si marrja e certifikatave familjare mund të përdoret shërbimi online tek e-Albania”, sqaron Hoxha.

Edhe stafi është reduktuar në numër, ku në çdo zyrë aktualisht punon vetëm një punonjës. Në qarkun e Durrësit ka në total 16 zyra të Gjendjes Civile.

Sa i përket veprimeve të tjera që kryhen nga zyrat e gjendjes civile, si regjistrime martesash; ndarje apo bashkim familjar etj. të gjithë banorët e interesuar do të duhet të presin një datë tjetër, me qetësimin e situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19.

S.L.