Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar ditën e sotme seancën në ngarkim të gjyqtares së Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, në Tiranë, Nertina Kosova. Kosova ka zgjedhur të dalë vetë para Komisionit të Pavarur të Kualifimit, duke mos zgjedhur avokat. 

Trupa gjykuese e kryesuar nga Firdes Shuli, dhe e përbërë nga Roland Ilia, dhe Olsi Komici paraqiti të dhënat për Kosovën në bazë të tri kritereve të rivlerësimit, atë të pasurisë, figurës, dhe aftësive profesionale.

Në seancën e sotme është paraqitur raporti i ILDKPI-së, ku thuhet Kosova ka kryer një deklarim të saktë dhe se nuk ka fshehur pasurinë. Në hetimin që ka kryer KPK-ja, gjyqtarja Nertina Kosova, ka deklaruar në vitin 2017 një apartament me sipërfaqe 120 metra katrorë në rrugën Don Bosko, të blerë në vitin 2006 për 6 milionë lekë.

Sipas KPK-së, Kosova nuk ka patur burime të mjaftueshme parash për të blerë këtë apartament. Gjyqtarja ka thënë se apartamenti është blerë 5 milionë lekë me kredi dhe 1 milionë lekë kursime familjare.

Kriteri tjetër, ai i pastërtisë së figurës është dorëzuar një raport nga DSIK ku thuhet se gjyqtarja nuk ka problem me pastërtinë e gjyqtares. Sipas KPK-së, për gjyqtaren ka patur një denoncim, por sipas verifikimeve të vetë KPK-së, denoncimi nga shtetasi me inicialet F.H, s’ka patur prova. Nga verifikimet ka rezultuar se gjyqtarja Nertina Kosova, s’ka asnjë masë disiplinore dhe është e aftë nga ana profesionale.

Vendimi për Kosovën pritet të jepet nesër më 18 korrik. Nertina Kosova ishte gjyqtarja që i ktheu pasaportën ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.