Gjyqtarja Mimoza Margjeka është paraqitur pak më parë në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Apelit për të apeluar vendimin e shkallës së parë që e akuzon atë për korrupsion.

Në një prononcim për mediat, Margjeka tha se procesi gjyqësor ndaj saj është goditje që i bëhet për shkak se nuk i dha mandatin një bashkie në zgjedhjet vendore të vitit 2019.

“Unë dyshoj që është tendencë. Kanë goditur reputacionin tim, kam punuar për këtë punë. Jam i vetmi gjyqtar që s’i kam dhënë mandatin një bashkie, nuk ishin zgjedhje ato, ishin nul. Po të ishin dhe gjyqtarët e tjerë si unë askush nuk i çonte në burg familjarisht, nuk ka prova”, u shpreh gjyqtarja Margjeka, ndërsa tha se do të kërkonte që seanca e saj të bëhej publike.

“Nuk dua gjykim me dyer te mbyllura. Te nxjerin fonine. Nuk na ndalohet të flasim. Si në kohën e Enverit të dëgjojë populli”.

Mimoza Margjeka, ish-gjyqtare e Durrësit, votoi kundër rezultatit të zgjedhjeve në qytetin bregdetar, duke refuzuar t’i jepte mandatin ish-kryebashkiakes Valbona Sako.

Ajo u arrestua për një skemë korrupsioni si e gjyqtare e komanduar në Apelin e Korçës, ku i përfshirë ishte edhe bashkëshorti i saj, teksa ajo me vendim zbuti masën për një të arrestuar kundrejt 6 mijë eurove.