Rreth 7 tonë perime të prodhuara në Shqipëri janë bllokuar nga autoritetet greke. Sipas medieve greke, perimet janë bllokuar pasi kishin përmbajtje të lartë të produkteve kimike.

Sasia me perime e përbërë nga shumica speca dhe kunguj e domate është kapur në fillim të tetorit dhe pas analizave të bëra në datën 23 tetor ka rezultuar se perimet kishin përmbajte të lartë chlorpyrifos (pesticid), çka është mbi normën e lejuar nga Bashkimi Europian.

Sekuestrimi i 6,995 kg perime u bë nga inspektorët e Ushqimit të Drejtorisë Rajonale Ekonomike dhe Veterinare të Njësisë Rajonale të Pireut, në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Blegtorisë.

Ky është rasti i dytë brenda pak kohësh që Greqia bllokon produkte bujqësore shqiptare për të njëjtën arsye. Më 9 tetor janë bllokuar speca e kunguj nga Shqipëria për përmbajtje të lartë të plehrave kimike.

Sasia e sekuestruar:
401 kuti specash me peshë 4,687 kg
250 kuti kunguj me peshë 1,751 kg
67 kuti domate me peshë 557 kg.