Pesë nxënës të shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi” në Durrës janë helmuar pasi kanë konsumuar ushqime të gatshme të blera pranë shkollës së tyre.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, dhe fëmijët janë dërguar në spitalin rajonal të Durrësit me shenja helmimi. Pasi kanë marrë ndihmën mjekësore, nxënësit e moshës 11 e 12 vjeç janë dërguar në banesë pa probleme për jetën.

Ndërkohë policia ka mbërritur në vendngjarje ku ka thirrur një grup pune nga AKU-ja, specialistët e të cilit kanë marrë mostrat te kisoka ku shiten byrekë dhe ushqime të shpejta, për të zbuluar shkakun e helmimit të nxënësve.

"Më datë 22.01.2018, shtetasit L.R, K.N, L.L, F.Xh dhe F.H, vjeç 11, 11, 11, 11 e 11, banues në Durrës, nxënës në klasën e pestë të një shkolle 9-vjeçare kanë konsumuar në shkollë disa produkte ushqimore si haribo, byrek, hamburger e sanduiç dhe më pas kanë ndjerë shqetësime me dhimbje e të vjella, të cilat pasi kanë marrë mjekim në urgjencën e Spitalit Rajonal, janë larguar pa probleme për shëndetin. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për vlerësim", thuhet në njoftiminzyrtar të policisë.